Shqipëria ka shënuar të dielën 110-vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se ky përvjetor e gjen Shqipërinë si një forcë moderne, aleate e NATO-s dhe e gatshme t’i përmbushë misionet kushtetuese dhe detyrimet euro-atlantike.
Ai shkroi në Facebook se është përjetë mirënjohës arkitektëve të pavarësisë, të cilët në ato ditë të vështira, kur vihej në pikëpyetje ekzistenca e shtetit të sapoformuar, me guxim, mençuri dhe atdhetarizëm të lartë, themeluan një nga shtyllat e domosdoshme të garantimit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
”4 dhjetori i vitit 1912 shënoi themelimin Forcave të Armatosura në historinë e shtetit dhe kombit tonë. Rrugëtimi 110 vjeçar i Forcave të Armatosura ka qenë i vështirë dhe i mbushur me sfida. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë vijnë sot në këtë 110-vjetor të themelimit, si një forcë moderne, anëtare e NATO-s dhe aleate e besueshme, e aftë të përmbushë misionin e saj kushtetues dhe detyrimet Euro-Atlantike, e angazhuar në një sërë misionesh në mbrojtje të paqes dhe sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon e në botë”, deklaroi ai.
Sipas presidentit Begaj, arritjet e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, janë si rezultat i përkushtimit dhe i punës së përbashkët dhe mbështetjes së NATO-s.
“Mirënjohja dhe vlerësimi ynë është maksimal për ndihmën e dhënë për transformimin, modernizmin, trajnimin, edukimin dhe rritjen e kapaciteteve tona ushtarake, falë bashkëpunimit tonë të ngushtë në tre dhjetëvjeçarët e fundit. Në një kohë me sfida të shtuara ndaj sigurisë dhe paqes, është i domosdoshëm më shumë përkushtim, përgjegjshmëri dhe angazhim i pakursyer nga të gjithë ne. Jam i bindur se angazhimi dhe detyrimi ynë do të vijojë të mbetet i shenjtë ndaj Atdheut, Nderit dhe Detyrës. Gëzuar 110-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura”, ka shkruar ai.
Edhe
Maqedonci: Ushtria shqiptare është partneri më i natyrshëm i FSK-së
Për 110-vjetorin pati reagime edhe nga Kosova. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Forcat e Shqipërisë kontribuojnë për paqen në botë.
“Në këtë përvjetor, kujtojmë me respektin më të madh të gjithë ata që kontribuuan për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare. Urime Ditën e Forcave të Armatosura Shqiptare. Në këtë përvjetor, kujtojmë me respektin më të madh të gjithë ata që kontribuuan për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare. Sot, Forcat e Armatosura Shqiptare si pjesë e NATO-, kontribuojnë për paqen në misione të ndryshme në botë”, tha Haradinaj në Facebook.