“Hajde, bac”, burrat e Kosovës lënë nam në Bruksel

18 korrik 2018 23:35

Edhe pse udhëheq me sektorin, për të cilin u mor vendimi në Bruksel, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u la në shtëpi.

Larg prej vendit ku u vendos, Dhurata Hoxha foli nëpër studio televizive për vendimin e liberalizimit, një faqe të të cilit shkuan për ta marrë në Bruksel plot 6 burra, raporton KTV.

Atje, presidenti Hashim Thaçi u mundua ta prezantojë delegacionin si grup e familje.

Haradinaj u ankua se nuk ka flamur dhe dëshironte ta linte Veselin afër Mogherinit, e ky e thërret Bacin që i bartë me avion privat, të marrë vendin e tij.

I lut vazhdimisht edhe Mogherini e Haradinaj ia tregon flamurin e Kosovës asaj.

Vend zë edhe Dardan Gashi, që askush nuk mund ta shpjegojë se pse shkoi atje.

Haradinaj premton ta marrë me vete një flamur të madh herën tjetër.

Si për ironi, delegacionit të madh të burrave të Kosovës përballë Mogherini i doli me disa gra.

Udhëtimi i burrave të Kosovës për në Bruksel ka qenë turbulent.

Pos Thaçit, të gjithë krerët e tjerë shtetërorë kanë hipur në luksin e avionit privat të zv/kryeministrit Pacolli.

Nisja është bërë nga Tirana, ku Kulla Ajrore atje u ka dhënë urdhër të nisen për udhëtim nëpër hapësirën ajrore të Serbisë.

Por, me ish-udhëheqësit e UÇK-së në bord, Pacolli i ka instruktuar pilotët e tij që të injorojnë urdhrin e Kullës dhe të kalojnë nëpër Itali.

Për shkak se të gjithë ishin atje, Komisionari Avramopoulos e ka anuluar vizitën e së enjtes në Prishtinë, e krerët e shtetit janë kthyer, po me avionin privat të Pacollit, të mërkurën në mbrëmje.

Moderator i konferencës u bë Presidenti Thaçi, që ua dha fjalën një nga një burrave të tjerë, dhe e mbylli prapë vetë, pa pranuar ndonjë pyetje.

Në Aeroport shampanjë nuk pati, për të shmangur skenat qesharake kur liberalizimi ndodhi për herë të parë, në maj 2016.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme