Arbëri

“Dorëzohet” Nisma, Limaj i bashkohet Thaçit në ekipin për dialog

Descriptive Text

Shumë zhurmë kishte bërë Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, për të kundërshtuar Hashim Thaçin në krye të dialogut me Serbinë.

Por përkundër kësaj, sipas Qeverisë së Kosovës, pjesë e së cilës është edhe Nisma, Fatmir Limaj do të shkojë të mërkurën bashkë me anëtarë tjerë të pozitës e me Thaçin në krye te Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Njoftimi zyrtar i Zyrës së Kryeministrit, thotë se sot janë takuar udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës: presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi, për të vendosur që bashkë, të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë Mogherinin në Bruksel.

Sipas njoftimit, madje ata do t’i thonë Mogherinit edhe për përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës.

Ndër më kritikët kundër Thaçit në krye të dialogut ka qenë kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi. Në një kolumne të tij, Krasniqi kishte shkruar se “ai që nuk është i përgatitur për të mbrojtur interesat e kombit, të merret me bujqësi e blegtori”.

Ish kryetari i Kuvendit, kishte thënë se interesi nacional duhet të jetë obligim e prioritet në çdo lloj përfaqësimi të vendit.

“Me politikë nuk duhet të merret ai, ajo apo ata e ato që nuk e kanë vizionin e qartë për kombin e shtetin e vet”, ka shkruar Krasniqi në facebook.

Ai tutje thoshte se ai që nuk është i përgatitur për t’i mbrojtur interesat e popullit e të shtetit të Kosovës, le të merret me bujqësi e blegtori.

“Padija, pavendosmëria dhe lakmia për t’u dukur “kooperativë”, edhe me vuçiqet apo këdo tjetër të çon pashmangshëm në tradhti kombëtare! Dhe tradhtitë kombëtare nuk riparohen lehtë, ne shqiptarët së paku e dimë sesa e si e kemi paguar ketë në historinë tonë të re! Dhe kjo nuk duhet në asnjë mënyrë nuk guxon të përsëritet më”, thotë ndër të tjera Krasniqi. KËTU mund ta lexoni të plotë kolumnen e Krasniqit!

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, në Interaktiv të KTV-së, pati deklaruar se kjo parti është kundër idesë që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë fazën finale në dialogun me Serbinë.

Sherifi, gjithashtu pati thënë se Thaçi sa ishte në qeveri “ka dëshmuar se nuk di të dialogojë”, dhe siç ka thënë ai, do t’i sjellë Kosovës marrëveshje të dëmshme.

Dje gjatë ditës krerët e shtetin ishin mbledhur pa Nismën. Presidenti Thaçi ishte nikoqir i takimit me kryeparlamentarin Veseli e kryeministrin Haradinaj, që për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, formuan ekip negociator. Kurse, zyrtarë të Nismës Socialdemokrate, pjesë e koalicionit qeverisës, i kanë thënë KTV-së se nuk janë në dijeni se është formuar ekipi negociator për dialogun.

Portali Koha.net ka provuar që të flasë me Limajn e Krasniqin, por qasjen me të dy e ka pasur të pamundur.

Ka folur deputeti Enver Hoti, që ka thënë se ani pse Limaj ishte në atë takim, kjo nuk nënkupton se Nisma ndryshon qëndrim ndaj Thaçit.

“Ky takim është me krerë shteti, duhet të jetë pjesëmarrës edhe Limaj po kjo nuk nënkupton që Nisma do ndryshojë qëndrim”, ka thënë ai.

Deputeti i Nismës Enver Hoti, në një përgjigje për Koha.net tha se i qëndrojnë prapa deklaratave të mëparshme se kjo parti, nuk e do Thaçin negociator në bisedimet me Serbinë. Hoti gjithashtu tha se të mërkurën në takim me Mogherinin, ku do të jetë edhe Fatmir Limaj, do të diskutohen edhe qëndrimet e partive tjera përfshirë opozitën.

“Nuk mund të ketë dialog pa opozitën, ky është qëndrimi im. Gjithçka duhet të diskutohet fillimisht në parlament”, tha ai.

Tash për tash opozita mbetet kundër përfshirjes në dialog. Kryeministri Haradinaj kishte thënë se po sheh sinjale te LDK-ja dhe PSD-ja, që të lëvizin në drejtim të përfshirjes në dialog. Menjëherë këtë e kishte demantuar LDK-ja, ndërsa PSD-ja madje ka thirrur seancë të jashtëzakonshme si përpjekje për ta ndalur Thaçin në krye të negociatave të asaj që po cilësohet si fazë finale e dialogut. Vetëvendosje mbetet e palëkundur kundër mënyrës se si Kosova ka dialoguar në vazhdimësi me Serbinë.

Nga ana tjetër, presidenti Thaçi ka njoftuar se në takimin e radhës me presidentin Vuçiq më 18 korrik, do të diskutohet për orientimin e vijave të përgjithshme dhe dinamikën e fazës së fundit të dialogut.