Arbëri

Ministria e Infrastrukturës investon 90 mijë euro në dy projekte në Mitrovicën e Veriut

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për dy projekte infrastrukturore me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Vlera e dy projekteve arrin në 90 mijë euro.

Bëhet fjalë për asfaltimin e rrugës “Sami Frashër” që kap vlerën 40 mijë euro, dhe asfaltimin e rrugës “Tirana” në vlerën e 50 mijë eurosh.

Sipas njoftimit nga ministria, në takimin e Lekajt dhe Rakiqit u “ritheksua mbështetja dhe përkushtimi i qeverisë për të përkrahur të gjitha komunat e vendit pa dallime etnike, duke u bazuar në mundësitë buxhetore dhe ligjore të Ministrisë së Infrastrukturës”.

Në njoftim theksohet se Rakiq ftoi Lekajn të vizitojë komunën veriore, për të parë nga afër nevojat për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.