Policia e Kosovës ka marrë në pyetje, gazetarin serb, Stefan Cvetkoviq, i cili para 10 ditësh ishte rrëmbyer në qytetin Bella Crkva, rast që tronditi gjithë rajonin, raporton KTV.
Cvetkoviqi ishte duke hulumtuar vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës.
Në një intervistë për KTV-në, Cvetkoviqi ka thënë se hetimet rreth rrëmbimit të tij ende janë duke vazhduar.
Sidoqoftë, shtoi se nëse hetimet do të zgjasin në pafundësi, ai do të detyrohet vetë që të zbulojë atë çfarë di rreth rrëmbimit të tij dhe kush eventualisht ishte i interesuar të bënte diçka të këtillë.
“Ekziston dyshimi tek unë personalisht që motivi mund të qëndrojë në disa aspekte, kryesisht nga fakti që merresha me tema që janë të rrezikshme dhe akterët për to janë grupe të fuqishme kriminale. Nuk e përjashtoj mundësinë që gjithçka ka të bëjë me hulumtimet që i bëja lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por as nuk e përjashtoj mundësinë që kjo mund të lidhet me hulumtimit e mia lidhur me deponitë e rrezikshme në Serbi, apo edhe çështje të tjera që u shkaktuan dëme milionëshe shumë ndërmarrjeve në Serbi”, ka thënë Cvetkoviq.
Por, burimet brenda Policisë së Kosovës kanë thënë për KTV-në se Cvetkoviqit i ishte bërë shumë presion nga ana e autoriteteve serbe që ai të heqë dorë nga ky rast.
Madje edhe vet pranon se është këshilluar që ky rast të mbetet në duart e organeve.
Ai, megjithatë, insiston se pas vrasjes së Ivanoviqit qëndrojnë struktura kriminale e shkaku i pamundësisë së organeve serbe, të hetojnë vrasjen në territorin e veriut, atëherë do të duhej që policia e Kosovës sa më shpejt të zbardhë këtë rast dhe të publikojë atë çfarë di.
“E dimë që një veturë ka marrë pjesë në këtë likuidim, e dimë që Ivanoviqi ishte pengesë për disa grupe kriminale dhe mendoj se gjithçka tregon se kjo është adresa e parë që duhet hetuar lidhur me vrasjen e tij. Ajo që ka rëndësi është se ekziston interesim i pakët i mediave për këtë, sidomos në Serbi. Ky është qëndrimi im personal, por njëkohësisht, mund të them se në kontakt me njerëzit, këtu në Kosovë mediat kanë interesim të madh dhe dëshirë të zbulohet gjithçka deri në detajin e vogël, e që flet për faktin se është e qartë që Ivanoviqi ishte dikush që ishte i pranishëm në opinionin publik kosovar dhe ai që e bëri këtë ka dërguar porosi se secili që ka identitet, qëndrim apo mendim nuk është i mirëseardhur dhe mund të përfundojë njëjtë”, ka thënë Cvetkoviq.
Sipas tij, personat që kishin djegur veturën e Ivanoviqit gjatë kohës së fushatës, qëndrojnë edhe pas vrasjes së tij.
Që nga rasti i rrëmbimit, Cvetkoviqi pohon se është nën mbrojtje 24-orëshe nga policia serbe.
Ai do të kthehet përsëri të enjten në Prishtinë për të dhënë deklaratë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Cvetkoviqi ishte zhdukur më 14 qershor në Bella Crkva në Vojvodinë. Ai u gjet pas 34 orësh të kërkimit intensiv, në gjendje të mirë shëndetësore. Në anën tjetër, Prokuroria serbe ka hapur hetime ndaj tij, meqë besohet se ai mashtroi me rastin e rrëmbimit.
Cvetkoviqi, në një konferencë për media, insistonte se ishte rrëmbyer dhe kërkoi hetim ndërkombëtar lidhur me rastin, megjithëse kishte vështirësi që të shpjegonte detajet e zhdukjes së tij.
Ai vetëm tha se pas disa orësh, kur kërkimi për të u intensifikua, rrëmbyesit e kishin lënë në mes të rrugës në qytet.