Arbëri

100 mijë ampula “Ceftriakson” i takojnë serisë ku u gjet një copë metali

Cilësia e barnave që hyjnë në Kosovë është vënë në pikëpyetje, pasi QKUK-ja ka hasur në një ampulë, brenda së cilës ishte e identifikueshme me sy një copë metali. Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar karantinimin e llojit të të njëjtit të barit që gjendet në QKUK, si dhe tërheqjen e gjithë serisë nga tregu

Një ampulë e kontaminuar, e dedikuar për trajtimin e pacientëve të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, ka ngritur dyshimin për cilësinë e barnave që hyjnë në Kosovë.

Ky lloji i antibiotikut “Ceftriaxone 1 Gr”, i prodhuar në Indi, brenda të të cilit u gjet një copë metali, është bërë objekt i inspektimit të Inspektoratit Farmaceutik.

KOHA ka mësuar që kjo ampulë e kontaminuar ishte hasur disa ditë me parë, gjatë festës së fundvitit. Por, menaxherët që është dashur ta lajmërojnë rastin në Inspektorat Farmaceutik, ashtu si edhe vetë Inspektorati, ishin në pushim, kështu që rasti është hapur të mërkurën. QKUK-ja nuk ka treguar nëse gjatë këtyre ditëve janë injektuar ampula që i takojnë serisë së njëjtë me atë të kontaminuar.

Raport fillestar për këtë çështje tashmë ka bërë Inspektorati Farmaceutik. Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ky institucion ka dhënë detaje nga gjetjet e para.

“Produkti në fjalë i është dhënë nga drejtori i Klinikës, Inspektoratit Farmaceutik, ku shihet qartë se produkti është i kontaminuar. Duke marrë parasysh këtë problem, Inspektorati Farmaceutik ka vazhduar inspektimin në Barnatoren Qendrore të SHSKUK/QKUK Prishtinë, me ç’rast është kërkuar fatura e furnizimit për produktin në fjalë, ku shihet se e njëjta është furnizuar nga depoja farmaceutike ‘Lirimed’ me këtë numër serik”, thuhet në përgjigje.

Ky institucion ka sqaruar se sasitë e tjera, të shpërndara në spitale publike, janë futur në karantinë, e një gjë e tillë pritet të bëhet me gjithë serinë.

“Në vazhdim është kryer inspektim në depon farmaceutike ‘Lirimed’, ku është urdhëruar që pos sasisë së produktit në stok, të bëjë edhe pezullimin në institucionet që i ka shpërndarë. Pronari i depos ‘Lirimed’ ka deklaruar se lidhur me produktin Ceftriaxone ka njoftuar prodhuesin, e po ashtu do të bëjë njoftimin në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore për tërheqjen (recall) të serisë për produktin në fjalë”, thuhet më tej në përgjigje.

KOHA ka provuar ta telefonojë Lirim Mustafën, pronar i kompanisë që ka kontratë me QKUK-në, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave.

Televizioni ka mësuar se në serinë e kësaj ampule të kontaminuar ishin 100 mijë copë. Në stok kishin mbetur 28 mijë të tilla, e 72 mijë ampula të kësaj serie ishin dërguar në QKUK dhe në Spitalin e Mitrovicës.

Në momentin që një bar futet ligjërisht në Kosovë dhe kalon filtrat e Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore, atëherë ky institucion bëhet garantues edhe i kualitetit të tij.

Ky institucion nuk është deklaruar fare për këtë çështje, e aktivitetet e tyre bazuar në faqen zyrtare janë të rralla.

Edhe Ministria e Shëndetësisë nuk e ka prioritet këtë institucion. Jo vetëm që nuk përmendet në programin e Qeverisë, por që disa vjet ky institucion udhëhiqet me ushtrues detyre.

KOHA ka raportuar disa herë për këtë çështje.

Përgjigjja e MSH-së në secilin rast ka qenë e njëjtë.

“Sa i përket konkursit për kryeshef të AKPPM-së, i njëjti do të përgatitet dhe zhvillohet sipas ligjeve në fuqi dhe në bashkëpunim me institucionet që bëjnë rekrutimin e zyrtarëve në pozita të larta publike”, është përgjigja e përsëritur e MSH-së.

Çështja se si matet cilësia e barnave në AKPPM është plotësisht e mbyllur për publikun. Por në të kaluarën nga ky institucion ka pasur ish-kryeshefa e zyrtarë të tjerë të akuzuar për korrupsion, pikërisht për procese që lidhen me këtë komponentë.