Arbëri

100 €, 50 € e 2 € dominojnë paratë fals në Kosovë

Katër aktakuza në vitin 2022, e nëntë në 10 muajt e parë të këtij viti janë ngritur për personat të cilët dyshohen se falsifikuan para në Kosovë. Sipas statistikave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, nga kartëmonedhat vjet më e falsifikuara ishte ajo 100-euroshe, kurse sivjet ajo 50-euroshe. Nga metelikët, 2-euroshi fals vazhdon të ketë qarkullimin më të madh

Zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë janë më të ngarkuar se kurrë.

Aty bëhet identifikimi i kartëmonedhave dhe monedhave metalike, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara".

Dhe ata punën më të madhe e kanë me kartëmonedhat 50 dhe 100-euroshe, si dhe me atë metalike 2-euroshe.

Zyrtarja Vjollca Krasniqi ka thënë se janë disa forma se si bëhet dallimi mes atyre origjinale dhe të falsifikuara.

"Në radhë të parë është shenja ujore, e cila vërehet vetëm përmes dritës. Tek origjinalja, dallohet shenja ujore e cila është e integruar", ka thënë ajo.

E 2-euroshi i falsifikuar, sipas Krasniqit, dallohet edhe për nga ngjyra.

Krasniqi ka thënë se ngjyra e metelikut fals është e shkëlqyeshme, për dallim me origjinalin. Mënyrë tjetër e identifikimit është përmes gishtit, duke prekur stampimin, në pjesën e përparme dhe të pasme.

“Është më e butë tek e falsifikuara, ndërsa tek origjinali më e fortë”, ka thënë Krasniqi.

Statistikat e Agjencisë tregojnë se deponimi i kartëmonedhave dhe monedhave metalike, të cilat dyshohen si të falsifikuara, është rritur këtë vit.

Në dhjetë muajt e parë të këtij viti, kjo agjenci ka identifikuar 36.260 metelikë 2-eurosh të falsifikuar, që i bie gati pesëfish më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar. E sa u përket kartëmonedhave, vjet më e falsifikuara ishte ajo në vlerë 100 euro, kurse sivjet ajo 50-euroshe.

Nga Banka Qendrore kanë thënë se të gjitha kartëmonedhat dhe monedhat metalike të cilat deponohen në institucionet financiare, përfshirë edhe BQK-në, e që dyshohen se janë të falsifikuara i dorëzohen Policisë, e më pas Agjencisë për Forenzikë

“Kartëmonedhat dhe monedhat e paraqitura tek institucionet financiare, duke përfshirë edhe BQK-në, i nënshtrohen procesimit, përmes të cilit proces bëhet verifikimi i autenticitetit. Monedhat që dyshohen të jenë false, tërhiqen nga qarkullimi dhe menjëherë i dorëzohen Policisë së Kosovës, e cila më tutje i dërgon të njëjtat për analizë tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë dhe njëkohësisht kryhen hetimet dhe iniciohen procedurat e tjera me organet e tjera përgjegjëse sipas legjislacionit dhe rregulloreve në fuqi. BQK-ja është duke u koordinuar në aspektin ndërinstitucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtyre aktiviteteve, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë se ka rritje të rasteve me para të falsifikuara, por edhe të aktakuzave për personat e dyshuar.

"E kemi një rritje të rasteve të kësaj natyre, e cila është dukuri shqetësuese edhe për neve si institucion, mund të themi se gjatë vitit të kaluar Prokuroria jonë ka ngritur gjithsej 4 aktakuza, për katër persona të cilët kanë qenë në kryerje të kësaj vepre penale, ndërkaq gjatë këtij viti në kohën kur ne po flasim kemi gjithsej gjashtë aktakuza të ngritura me tetë persona të përfshirë në kryerjen e kësaj vepre penale", ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore.

Për hasje në para të falsifikuara, policia po raporton çdoherë e më shpesh në raportet e saj 24-orëshe, përfshirë edhe të enjten.