Kuvendi i Kosovës ka hapur konkurs për dizajnim të logos së këtij institucioni. Sipas thirrjes së publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës dhe në e-prokurim, vlera e parashikuar e këtij konkursi është 10 mijë euro.
Për vendin e para janë parapara të ndahen 7 mijë euro, për të dytin 2 mijë dhe për të tretin 1mijë euro.
Konkursi do të jetë i hapur deri më datën 11 prill të këtij viti.
Kuvendi gjithashtu ka hapur thirrje publike për renovimin e sallës plenare.
Këtë e ka bërë të ditur shefi i Kabinetit të kryetarit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli.
“U hap thirrja publike për renovimin e sallës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe gjejmë rastin që kompanitë e interesuara t’i ftojmë të bëjnë aplikimet e tyre. Hapja e kësaj thirrje është lajm shumë i mirë, marrë parasysh faktin se sa shumë është vështirësuar puna e Kuvendit gjatë seancave plenare, brenda një salle që për herë të fundit është renovuar përpara 20 vjetëve”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe
90 mijë euro për 120 laptopët e Kuvendit
Sipas tij ky investim do të bëhet në bashkëpunim me LuxDev.
“Nga ky investim që do të bëhet në bashkëpunim me LuxDev, problemet e sallës në përgjithësi, përfshirë ato me zërimin dhe mikrofonat, aspektin e regjisë dhe votimin, më në fund do të përfundojnë duke i dhënë efikasitet një procesi si puna në Kuvend, që ka interes të gjerë publik dhe rëndësi kyçe”, ka shkruar ai.