Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se miratimi i Ligjit për rimëkëmbje ekonomike ka 10 efekte në ekonominë e vendit.
Kuvendi i Kosovës, të premten, me 72 vota pro, pas shumë dështimesh, më në fund miratoi Ligjin për rimëkëmbje ekonomike. Pika më e përfolur e tij është mundësia që qytetarët të tërheqin deri 10 për qind të mjeteve të kursyera në Trust.
Sipas Tahirit, këto janë dhjetë efektet e këtij ligji:
Ulë presionin mbi ekonominë, bizneset dhe familjet;
Për një periudhë të kufizuar, do të rrisë fuqinë blerëse, konsumin dhe shërbimet;
Do të ekuilibrojë sadopak zhvillimet në tregun vendor financiar;
Do të rifreskojë potencialin e bizneseve të vogla, tashmë të rrezikuara, për të operuar më gjatë dhe më qëndrueshëm në treg;
Do të zbusë efektet negative të pandemisë, veçmas te ato familje me të ardhura më të ulëta;
Do të ndikojë pozitivisht te të gjithë, në fuqinë e shtetit si faktor stabilizues ekonomik;
Do të shërbejë si instrument i 'tërthortë' i asistencës sociale, për shtresat në vështirësi;
Përçon mesazh të fortë te komuniteti ndërkombëtar për klimën e përgjithshme ekonomike në Kosovë;
Ofron mundësi të re, që në dritë të këtij ligji, të planifikohen hapat tjerët të shpenzimeve në planet vjetore dhe afatmesme financiare;
Rehabiliton besimin e dëmtuar te qytetarët kundrejt kapacitetit vendimmarrës institucional, rezultat i vonesave vendimmarrëse.