Të hënën u shënua dita e dhjetë e vendosjes së barrikadave nga serbë në veri të Kosovës.
Serbët po e kundërshtojnë arrestimin e ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq, nëpërmjet bllokimit të rrugëve.
Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare i kanë shtuar thirrjet për heqjen e barrikadave. Disa e krahasuan situatën e tanishme me atë të vitit 1999 në Kosovë.
Të dielën, serbët u mblodhën në shenjë proteste pranë pikës kufitare së Jarinjës.
Organizatorët e protestës u ankuan për presion të madh, derisa i kanë bërë thirrje KFOR-it që të largohet nga këto pika, me arsyetimin se “nuk ka çka të kërkojë këtu”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret që KFOR-i t'i heqë barrikadat, derisa i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, u shpreh se barrikadat duhet të hiqen nga ata që i kanë vendosur.
Ish-zyrtari policor Pantiq, po dyshohet se ka iniciuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të vendit.