Kuriozitet

Shkencëtari suedez po punon për të mundësuar ruajtjen e energjisë diellore

Të prodhosh energji diellore është e thjeshtë, sfida është ta ruash atë. Një grup kërkimor nga Suedia po kryen kërkimet për një mënyrë të re që do t’i jepte zgjidhje këtij problemi.

Energjia diellore ka një problem të madh: po nuk e përdore menjëherë, e humbet atë. Çka do të thotë se është e vështirë ta ruash këtë energji për, fjala bie, një ditë me shi.

Por Kasper Moth Poulsen ka një ëndërr.

“Ëndrra ime është që projektin në laborator ta zbatojmë në realitet, duke krijuar një sistem të vërtetë të prodhimit të energjisë, i cili t’i shërbejë gjithë botës”.

Kasper po përpiqet ta bëjë realitet këtë ëndërr, duke krijuar molekula të lëngshme, të cilat do të thithin dhe ruajnë energjinë diellore për një kohë të pacaktuar.

“Kjo molekulë do të përthithë dritën e diellit dhe kjo e fundit do ta shndërrojë atë në një molekulë tjetër, të ashtuquajturin izomer. Izomeri është i qëndrueshëm me kalimin e kohës, kështu që mund të ruhet në një rezervuar dhe kur të na duhet energji, mund ta nxisim molekulën të çlirojë energji në formën e nxehtësisë, duke rifituar kësisoj molekulën origjinale”.

Ky njihet si sistemi termal diellor molekular dhe nëse ju duket i ndërlikuar, i tillë është vërtet.

“Sistemi duhet të jetë efikas në përthithjen e rrezeve të diellit, duhet të kapë një pjesë të madhe të tyre. Duhet pas kësaj t’i shndërrojë rrezet në molekula rezervë dhe të ketë një dendësi të madhe energjie, në mënyrë që të mos zë shumë hapësirë. Së fundmi, duhet të jetë i lirë, i disponueshëm dhe i fuqishëm për periudha të gjata kohore”.

Deri tani, ekipi ka krijuar molekula që mund të shndërrojnë një për qind të energjisë diellore të përthithur në energji kimike rezervë.

Poulsen thotë se sistemi do të jetë gati kur molekulat e krijuara nga ekipi në laborator të mund të ruajnë të paktën dhjetë për qind të energjisë diellore.