Arbëri

Haradinaj e Markoviq optimistë për demarkacionin, nuk zbulojnë bisedën

Descriptive Text

18:21 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq, janë shprehur optimistë për gjendjen e një zgjidhjeje për çështjen e demarkacionit.

Edhe pse nuk treguan se çfarë kanë biseduar në takimin e sotëm, dy liderët kanë thënë se dëshirojnë që kjo çështje të ketë një zgjidhje të mirë përfundimtare.

“Kemi folur edhe për demarkacionin. E dini qëndrimin e Malit të Zi. E dimë edhe ne qëndrimin e Kosovës për demarkacionin. Mali i Zi si fqinj i mirë i Kosovës dëshiron që kjo marrëveshje të zgjidhet ashtu siç është nënshkruar dhe në këtë plan do të vazhdojmë bisedimet për zgjedhje më të mirë”, ka thënë Markoviq.

“E kemi biseduar. Ekziston një vullnet i mirë për të gjetur një dalje nga gjendja ku jemi. Jam me shpresë se do të gjendet idealja për këtë gjendje”, ka shtuar Haradinaj.

Ata nuk kanë treguar ndonjë datë kur do të mund të mbyllet kjo çështje, teksa kanë konfirmuar dialog të mëtejmë.

“Ne jemi politikanë të përgjegjshëm. Jemi për të gjetur zgjidhje. Biseda ishte për dialog të pandërprerë, për dalje nga kjo situatë”, ka thënë Markoviq.


Haradinaj e Markoviq: Kosova e Mali i Zi s’kanë probleme me njëra-tjetrën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq, kanë thënë se dy shtetet s’kanë probleme me njëra-tjetrën dhe se kanë një rrugë të përbashkët drejt Evropës.

“Vizita e kryeministrit Markoviq dëshmon që populli i Malit të Zi dhe ai i Kosovës janë jo vetëm fqinj, por popuj që duan njëri tjetrin dhe të ardhmen e përbashkët euroatlantike. Jam thellë i bindur që do të jenë marrëdhënie shembull për të gjithë në regjion”, ka thënë Haradinaj pas takimit me Markoviqin.

Në anën tjetër, Markoviq ka shtuar se Mali i Zi do të përkrahë Kosovën në rrugën drejt Evropës dhe ka kërkuar respektim të të gjitha të drejtave për minoritetin malazez në Kosovë.

“Vlerësoj lartë bashkëpunimin që kemi. Do ta forcojmë në të ardhmen. Jemi shtet që duam të hyjmë në Bashkimin Evropian jemi në NATO dhe duam që përvojat tona t’ua tregojmë juve e t’ju ndihmojmë në rrugën evropiane. Kemi biseduar sot për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore. Do të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi në shumë fusha. Kemi folur edhe për rëndësinë e çështjes së minoriteteve, për malazezët që jetojnë në Kosovë. Dëshirojmë përfshirjen e tyre në jetën e përgjithshme në Kosovë. Të realizohen të gjitha të drejtat e tyre të parapara me Kushtetutë. S’kemi problem me Kosovën. Pata nderin që jam kryeministri i parë malazez për vizitë në Kosovë”, ka thënë Markoviq.