Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

Nisma ofron shembullin e Malishevës në udhëheqje lokale

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në vendlindje të tij ka thënë se Kosova ka nevojë për një forcë politike siç është partia që e drejton, e që sipas tij ata dinë që interesin e ngushtë partiak ta largojnë nga rendi i parë, e ta vendosin interesin e vendit.

Limaj në Malishevë tha se Kosovës i duhet një forcë politike që ofron dhe bashkon, e jo që interesin e vetë personal e vendos në rend të parë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kosova sot ka nevojë për një forcë politike siç është Nisma për Kosovën e cila interesin e ngushtë partiak din me largua nga rendi i parë. Një forcë politike e cila njerëzit e kësaj partie dinë me kalua mbi interesat partiake. Si asnjëherë më shumë Kosovës i duhen njerëz që kalojmë mbi inatet e tyre individuale, si asnjëherë më shumë Kosovës i duhen njerëzit të cilët din të falin, në emër të vendit për t’i arritur objektivat e vendit. Si asnjëherë më shumë Kosovës sot i duhen njerëz që dinë të marrin vendime edhe kur janë të vështira dhe kur janë të rënda. Na duhet një forcë politike e cila ofron e bashkon, fatkeqësisht sot në skenën politike të Kosovës ende ekzistojnë kampe të cilat në mungesë të projekteve, ideve, në mungesë të vizionit, në mungesë të përgjegjësisë nxjerrin para interesat e tyre të ngushta partiake”, tha Limaj.

I pari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se në vitin 2013 e kanë nisur rrugëtimin si Nismë për të ndryshuar gjendjen në Kosovë, e që siç tha ai për të sjellë frymë demokratike, pasi që mashtrimi, shantazhi e kërcënimi sipas Limajt kishte shkuar në kulm.

Po ashtu, Limaj tha se në këto zgjedhje Nisma për Kosovën do të dal me më së paku 100 asamblistë në tërë Kosovën, ndërkohë që potencoi se janë krenar me modelin e qeverisjes që kanë bërë në Malishevë.

Limaj tha se për herë të parë në Malishevë nuk ka pasur dallime në investime, ku ai tha se i kanë shikuar të gjithë qytetarët njësoj pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Kurse, deputeti i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, tha se partia pjesë e të cilës është në qendër të programit të saj e ka zhvillimin e bujqësisë.

“Në qendër të saj, fokus të saj e ka sovranitetin e vendit, e ka integritetin e saj. Mbi të gjitha e ka zhvillimin e bujqësisë si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit. Prandaj, edhe në fushatën e zgjedhjeve parlamentare Nisma në fokus të saj, në qendër të programit të saj e ka pasur zhvillimin e bujqësisë dhe ju do të jeni dëshmitarë, do të jetë e tërë Kosova që për këto katër vite në bujqësi përmes Nismës për Kosovën, programit të saj do të bëhet revolucion”, tha ai.

Ndërsa, edhe një mandat për të qeverisur me Malishevën po e kërkon kryetari aktual i kësaj komune Ragip Begaj, i cili para qytetarëve të Malishevës paraqiti projektet të cilat i ka realizuar në qeverisjen e tij katër vjeçare.

Ndërkaq premtoi se për katër vitet e ardhshme buxhetin për bujqësi do ta bëjë 5 milion euro.

“Premtojmë para juve se do të kemi 35 kilometra trotuare të gjitha ato fshatra që kanë nevojë për trotuare përmbushet obligimi jonë. E kam dhënë një premtim se do të bëjë një sallë të sporteve, ajo do të jetë realitet sepse ne kur japim premtime, i mbajmë ato premtime dhe unë ju premtoj këtu juve për arsye se ju jeni ata që na keni dhënë besimin neve. Bujqësia, kemi bërë një mbështetje bukur të mirë këto katër vite, kemi ndërtuar stalla, kemi dhënë pleh, makina të ndryshme dhe ajo nuk është e mjaftueshme se çka do të bëjmë ne në katër vitet e ardhshme. Katër vitet e ardhshme buxheti për bujqësi do të jetë 5 milion euro, 3 milion buxhet komunal dhe 2 milion euro besoj se do të kemi donacione nga jashtë dhe nga niveli qendror”, tha ai.

Pretendenti për Malishevën premtoi mbështetje edhe për skamnorët e kësaj komune, ku ai tha se do të ndërtoj 20 shtëpi si dhe që do të jetë pran tyre çdo herë.

Në këtë tubim elektoral Nisma për Kosovën ka paraqitur edhe kandidatët për asamblenë komunale të Malishevës, ndërsa tubim tjetër do të mbajë edhe në Lipjan.