Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

Haziri: Shëtitorja mbi lumin “Mirusha” është kthyer në qendër për bizneset

Kryetari i Komunës së Gjilanit, njëherësh kandidat edhe për një mandat qeverisës, Lutfi Haziri, ka parë nga afër sot punimet në ndërtimin e shëtitores mbi lumin “Mirusha”.

Haziri tha se kjo shëtitore është kthyer në qendër për bizneset.

“Përfundimisht, në lagjen e ‘Balecit’ nuk ka më kundërmim. Kjo shëtitore është kthyer në qendër për bizneset. Planifikohet organizimi i bizneseve të mesme dhe të vogla, duke krijuar vende të reja pune dhe duke e ringjallur pas 30 viteve qendrën e Gjilanit”, ka thënë Haziri, duke treguar për realizimin e projektit të tërësishëm.

“Do të vazhdojmë rindërtimin e sheshit përfshirë gjelbërimin, organizimin urban dhe kjo shëtitore e re do të përfundojë tek furra “Aroma” në pjesën e epërme, ndërsa do të vazhdojmë në pjesën e poshtme deri tek “Mulliri i Akllapit”. Ne besojmë që në vitin e ardhshëm do të përfundojnë të gjitha punimet në këtë pjesë dhe do të fillojmë ta rindërtojmë në të njejtën mënyrë lumin “Stanishorka”, ka shtuar kreu i Gjilanit.

Kryetari Lutfi Haziri ka theksuar se sheshi “Rexhep Mala e Nuhi Berisha” tashmë po merr formë, duke vazhduar zgjerimin e rrezes dhe duke e vendosur në plan të parë rrënimin e ish-objektit të ekzekutivit dhe hapjen e hapësirave për qytetarët dhe për bizneset.