Zgjedhjet lokale

Me dy orë vonesë, nis numërimi në Prishtinë

Numerimi ne Prishtine

Foto: Driton Paçarada

Me dy orë vonesë ka nisur numërimi i votave për kandidatë të asamblesë komunale në Prishtinë.

Nisja e këtij procesi ishte i planifikuar në orën 16:00.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se janë mbi 33 mijë fletëvotime nga diaspora.

“Nga votimi jashtë Kosovës nga tërheqja e dërgesave postare që është bërë nga 22 kuti postare nga gjithsej 23 të cilat ndodhen në shtete të ndryshme numri i zarfeve të supozuara me fletëvotime është 33 mijë e 258”, ka thënë ai.

Elezi ka thënë se numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta dhe i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosove do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pasi të përfundojë procesi në këto qendra komunale të numërimit.

Ka shtuar se të dielën në mbrëmje në 2.571 vendvotime të rregullta është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Elezi ka thënë se pas përfundimit të numërimit dhe procedurave të tjera, materialet zgjedhore nga 948 Qendra të Votimit janë tërhequr dhe dërguar në 38 Qendra Komunale të Numërimit.

“Pra, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në Zgjedhjet Lokale numërimi i votave të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike për Kuvende Komunale bëhet në vendvotime pas përfundimit të votimit, të cilat evidentohen në formularë. Ndërkaq, sipas të njëjtit ligj, votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale numërohen në Qendra Komunale të Numërimit, proces i cili do të realizohet përmes ekipeve të numërimit.  Përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ju njoftojmë se ky process, në orën 12:00 ka filluar në tri komuna dhe në orën 16:00 në 35 të tjera”, ka thënë ai.

Ka shtuar se në 38 Qendra Komunale të Numërimit do të punohet në dy orare, ndërkaq KQZ ka emëruar më shumë se 520 ekipe të numërimit me mbi 2 mijë anëtarë.

 

 

 


Pas pak pritet të nisë numërimi i votave për kandidatë të asamblesë komunale në Prishtinë

Në Qendrën e Numërimit “1 Tetori” janë duke u bërë përgatitjet e fundit teknike për numërimin e votave për asamblistë në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës do të shkojë në balotazh për kryetar, garë kjo që do të zhvillohet ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosje më 9 nëntor.

Në garën për asamble komunale sipas rezultateve preliminare të KQZ-së prin LDK-ja me 28.98 për qind, pasuar nga PDK me 22.58 për qind. Lëvizja Vetëvendosje renditet e treta me 21.56 për qind, AAK 9.97 për qind Lidhja e Prishtinës 7.37, PSD 2.64 për qind, Nisma 2.36, Partia Guxo 2.05 për qind. 

No description available.