E Enver Hoti, kandidat i AAK-së për kryetar të Malishevës, ka thënë se problemi i parë që kërkon zgjidhje është demokratizimi i komunës.
Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Malishevën”, ka numëruar një sërë projektesh që synon të realizojë në rast se fiton besimin e qytetarëve.
“Gjithçka fillon nga planifikimi buxhetit dhe realizimi i buxhetit dhe i punëve. Prandaj jam ai që kërkoj përgjegjësi dhe do të jap llogari. Buxhetin do ta hartojë mbi prioritetin e qytetarëve, do ta realizojë me një realizim të jashtëzakonshëm të kontrollit, pra të inspektimit të punëve, jo të bëhen punët nga disa herë”, ka thënë ai.
Edhe ai ka folur për mungesën e ujit dhe të energjisë elektrike në Malishevë, si dy prej problemeve më të mëdha.
“Objektivat tjera - realizimi i ujit të pijes për qytetarët. Malisheva vuan jashtëzakonisht një kohë të territ, pa energji elektrike. Depolitizimi i arsimit do të ndodhë absolutisht, Do të krijohet një rend dhe një ligj në kuptimin e realizimit të projekteve në fushën e urbanizimit, duke filluar nga hartimi i hartave zonale. Ruajtja e hapësirave publike, sepse ato janë duke u sakatuar e zvogëluar. Një prioritet që e kam bazë është Kijeva me fshatrat përreth. Është një qendër e lënë pas dore e cila është në një harresë thuajse, dhe nuk e meriton t’i ndodhë ajo që po i ndodhë”, ka premtuar Hoti.
Ka premtuar përkujdesje edhe për rininë, kulturën, sportin e kategoritë e dala nga lufta.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
