Zgjedhjet lokale

Brahimi i PDK-së: Procesi i votimit në Mitrovicë të kthehet në pikën zero

Valon Brahimi, sekretar i degës së PDK-së në Mitrovicë, ka përsëritur se është dëmtuar rëndë procesi zgjedhor në Mitrovicën e Jugut. Ai ka thënë se nga dje, 11 nëntor, janë gjetur fletëvotime të tjera me gabime në vendvotime, përveç atyre të raportuara fillimisht.

Sipas tij, 99 për qind e fletëvotimeve të gjetura me kodin e vendvotimit që nuk përputhet me vendvotimin prej nga ato vijnë janë për Vetëvendosjen. Ka shtuar se qendrat ku janë gjetur fletëvotime me gabime janë qendra përcaktuese për rezultatet në Mitrovicë.

Brahimi ka deklaruar se kjo çështje do të zgjidhej vetëm me rivotim në Mitrovicë.

“Dje dhe sot përveç atyre që kemi prezantuar, kanë dalë edhe disa prova të tjera në qendra të ndryshme që është pa që devijimi ka pasur shtrirje më të gjerë, jo vetëm në pjesët e cekura paraprakisht, por edhe në pjesë periferike të qytetit. Është rasti kur një fletëvotim i shkollës ish-bujqësore është gjetur në shkollën ‘Skënderbeu’. Një fletëvotim tjetër që do duhej të ishte i shkollës ‘Elena Gjika’ është gjetur në shkollën ‘Xhevat Jusufi’. Kjo dëshmon që devijimi i vullnetit të votuesve ka pasur shtrirje jo vetëm në qendrat e mëdha por tërë territorin e Mitrovicës. Kjo tregon nevojën që procesi të kthehet në pikën zero”, ka thënë ai në “60 Minuta”.