Zgjedhjet lajme

Limaj: Qeveria duhet të shpall Mitrovicën zonë me interes të veçantë nacional

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, gjatë fushatës zgjedhore që ka mbajtur të martën në Mitrovicë, ka thënë se ana e Mitrovicës është pjesa më problematike që kërkon zgjidhje të menjëhershme.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ta shpallë këtë zonë me interes të veçantë nacional dhe në emër të saj të sjellë investime të fuqishme.

Ai theksoi se pjesët kufitare të Kosovës duhet të kthehen në pjesë të zhvillimit, bashkëpunimit dhe komunikimit me vendet fqinje.

“Kemi humbur shumë kohë, mungesa e një qasje serioze për t’u ballafaquar me problemet politike na ka sjellë në një situatë ku në pjesë të ndryshme të vendit tonë po mbretëron status quoja”, ka thënë ai.

Limaj ka thënë se bashkë me deputetët tjerë të Nisma për Kosovën, do t’i qasen Mitrovicës ashtu siç e kërkon ligji.

“Ky regjion ka nevojë për investime me interes të veçantë. Qeveria e Kosovës duhet ta shpallë këtë zonë me interes të veçantë nacional dhe në emër të saj të sjellë investime të fuqishme, grante, stimulim për qytetarët e kësaj pjese të Kosovës… Ne duam që pjesët tona kufitare të kthehen në pjesë të zhvillimit, komunikimit, bashkëpunimit, fuqizimit dhe të ndërlidhjes së komunikimit me vendet fqinje”, ka thënë mes tjerash Limaj.