Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj ka thënë se shteti duhet të mbështet dhe të subvencionojë bujqësinë në komunën e Rahovecit, prodhimet e së cilit do t’i mbushin sofrat e Kosovës.
“Njerëzit e vyeshëm dhe toka pjellore kësaj komune, meritojnë mbështetje shumë më të madhe nga shteti. Qeveria jonë, qeveria në ardhje e garanton këtë. Do t'i subvencionojmë bujqit dhe do t'i mbështesim kulturat agrare të kësaj treve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai më tutje ka shtuar se, “do të rrimë afër njëri-tjetrit dhe kemi me punuar bashkë për të gjithat. Për politikat, legjislacionin dhe veprimet konkrete që duhet të merren në mënyrë që ta zhvillojmë bujqësinë, ta mbrojmë e promovojmë produktin vendor - bereqetin e Kosovës”.
Haradinaj më tutje ka shtuar se prodhimet e Rahovecit do ta pushtojnë sërish tregun, jo vetëm të rajonit por edhe të Evropës.
“Prodhimet e Rahovecit do t’i mbushin sofrat e Kosovës. Prodhimet e Rahovecit do ta pushtojnë sërish tregun e jashtëm, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Atë që ia ka dhënë Zoti kësaj zone dhe këtyre njerëzve, neve na mbetet ta mbështesim fuqishëm. Nuk kemi detyra tjera, përveç se me iu shërbyer dhe mbrojtur interesat e qytetarëve të vendit tonë. Dhe do ta bëjmë këtë. Zotohemi!”, ka shkruar Haradinaj.
“Më 11 qershor votojeni koalicionin me numrin 12, koalicionin e fitores për Kosovën, që pa vonesa t’i dal krahë bujkut të Rahovecit, bujkut të Kosovës”, ka thënë ai.