Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRrusta: Asnjë qeveri nuk e ka parë arsimin tokë të pëlleshme për vota
Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Teuta Rrusta, ka thënë se mësimdhënësit kanë qenë goxha të atakuar gjatë qeverisjes së Kurtit.
Ajo në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, ka thënë qeveritë në përgjithësi nuk kanë investuar në arsim sepse nuk shihet fushë që sjell vota.
“Sa herë që mësimdhënësit kanë kërkuar rritje të pagave ata kanë qenë të atakuar se janë aty vetëm për paga. Këto zgjedhje janë të përsëritura. Nuk e besoj që dikush në këto zgjedhje do të votoj për programin. Ato zgjedhje për program nëse kanë qenë, kanë qenë vitin e kaluar. Është mirë të thuhet qysh qeveritë nuk e kanë parë tokë të pëlleshme arsimin për vota”, ka thënë Rrusta.
Kandidatja për deputete e PSD-së është shprehur se investimi në arsim nuk të jep votë aty për aty dhe çdo ndërhyrje merr kohë për të parë rezultatin, andaj edhe nuk është punuar në këtë drejtim.
“Ndërhyrjet në arsim marrin shumë kohë, për t’i parë frytet në arsim që të përkthehen në votë kërkohen vite e ndoshta edhe gjenerata. Arsimi nuk është parë më prioritet sepse nuk të jep votë aty për aty. Në këto zgjedhje votohet për vlera”, është shprehur Rrusta në KTV në debatin për arsim mes kandidatëve për deputetë.
Telaku për qeverisjen e VV-së: Janë larg prej premtimeve
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Telaku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, si parti në pushtet me mandat të plotë, ka dështuar të bëjë reformim në arsimin parafillorë e fillorë.
Sipas tij, rezultatet në testin PISA, tregojnë më së miri që kjo qeveri është larg nga premtimet që ka dhënë në fushën e arsimit.
Në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, Telaku është shprehur se premtimi i ndërtimit të shumë çerdheve dhe rezultati në terren, janë dëshmia më e mirë e mosrealizimit të premtimeve të tyre.
“Vetë ndërtimi i çerdheve tregon se kjo qeveri është larg nga premtimet që ka dhënë. Diçka tjetër është premtuar, diçka tjetër ka mundur të realizohet dhe krejt diçka tjetër është realizuar. Edhe nëse lidhemi me rezultatet e testit PISA dhe me të dhëna tjera shkencore, kjo qeveri ka dështuar të bëjë reformim edhe në arsimin parafillorë edhe në atë fillorë. Çka po na thonë neve rezultatet e PISA-s është që fëmijët tanë po mbajnë mend dhe kaq është njohuria e tyre. Pra nuk po arrijnë të jenë të shkathët në aplikim të njohurive që po i marrin në shkolla”, ka thënë Telaku.
Telaku ka deklaruar se as strategjia për arsim për vitet 2022-2026, nuk është zbatuar në asnjë pikë ndërsa ka akuzuar se premtimet vetëm përsëriten nga fushata në fushatë.
Sipas kandidatit për deputet nga PDK-ja, arsyeja e ikjes së të rinjve është edhe sepse qeveria e tanishme nuk ka arritur ta bëjë një bashkëdyzim të shkollimit, edukimit dhe tregut të punës.
“Deri më tani nuk është zbatuar asgjë nga strategjia për arsim e Kurtit për vitet 2022-2026. Shumica e premtimeve mbesin vetëm në letër, përsëriten nga fushata në fushatë mirëpo ndryshim në terren nuk ka arritur të bëjë kjo qeveri. Madje ka arritur ta degradojë edhe më tutje arsimin, në disa forma ka arritur ta politizojë arsimin. Neve na u janë dobësuar rezultatet në testin PISA. Gjatë kësaj qeverisje kemi ikje të madhe të të rinjve sepse nuk ka arritur ta bëjë një bashkëdyzim të shkollimit, edukimit dhe tregut të punës”, është shprehur Telaku në KTV, në debatin për arsim.
Bellanica: Arsimi në Qeverinë Kurti pikë e fundit e referencës
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Sejdi Bellanica, ka kritikuar qeverinë aktuale se arsimin e kanë lënë pa ndonjë hap të rëndësishëm që do të ndikonte drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë.
Në debatin “Zgjedhjet në Kohë” e ku u diskutua për arsimin, Bellanica është shprehur çerdhet e shumë premtuara nga partia në pushtet, nuk janë ndërtuar, andaj sipas tij kjo çështje duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë.
“Cilësia po mbetet gjithmonë sfida kryesore sa i përket arsimit në Kosovë. U përmend edhe çështja e edukimit të hershëm në çerdhet të cilat nuk janë të ndërtuara por vetëm të premtuara, kjo duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë. Kosova është duke shkruar drejt një zhvillimi ndryshe nga ajo që ka qenë më përpara pasi pjesa më e madhe e banorëve qofshin gra po meshkuj janë të punësuar, kanë nevojë që fëmijët të mos edukohen brenda shtëpisë por të kenë një institucion ku mund të edukohen”, ka thënë Bellanica.
Sipas Bellanicës, tekstet shkollore dhe rezultatet në PISA janë faktorë që tregojnë se sa prapa është vendi në arsim.
Ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon reformim të tërësishëm të sistemit arsimor nga cikli parashkollor e deri në universitet.
“Si shtyllë e parë kemi thënë që shkolla duhet të jap aftësi dhe jo vetëm nota. Kjo mund të bëhet nga reformimi i tërësishëm; nga parashkollor deri në universitet, pastaj kurrikula duhet të zbatohet. Kurrikula i ka gjashtë kompetenca dhe nëse ne fokusiohemi në zbatimin e tyre atëherë ne i kemi bërë atë fëmijë të gatshëm për jetë. Asnjëherë nuk është bërë një vlerësim i zbatimit të këtyre njohurive që merren përmes zbatimit të kurrikulës”, ka thënë Bellancia.
Kandidati i AAK-së për deputet, ka thënë gjithashtu se mësimdhënësit nuk duhet të testohen. Sipas tij ata duhet të mbështeten.
“Në shtyllën tjetër e kemi mbështetjen e mësimdhënësit. Çfarë testi duhet t’i bëjmë mësimdhënësit siç ka përmendur qeveria e tanishme, test i njohurive që e kanë kryer një fakultet? Mesimdhënësit janë mjaftueshëm me njohuri në vendin ku janë dhe ushtrojnë lëndën. Tjetra është dualizmi, u përmendën shkollat profesionale të cilat mendojnë që po lihen anash e tregu i punës është fokusuar pikërisht këtu”, ka thënë Bellanica.