Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur më 28 maj e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit. Në këtë tekst do të mund të lexoni për aktivitetet e partive politike në ditën e gjashtë të fushatës.
Abdixhiku premton 1.5 miliardë euro investime për Prishtinën
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar 1.5 miliardë euro investime për Prishtinën, duke thënë se kryeqyteti ka qenë i lënë anash dhe i pambështetur nga qeverisja qendrore gjatë viteve të fundit, raporton Ekonomia Online.
Në tubimin zgjedhor në Prishtinë, Abdixhiku tha se LDK-ja ka një program konkret për zhvillimin e kryeqytetit dhe realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.
“Për pesë vjetët e kaluar, sidomos Prishtina, sidomos kryeqyteti, ka qenë i lënë anash, ka qenë i penguar, ka qenë i sabotuar, e mbi të gjitha, i pambështetur nga një qeverisje qendrore. Ne kemi program, kemi mbështetje politike për Prishtinën – plot 1.5 miliardë euro investime për kryeqytetin, që janë projekte madhore për njerëzit tanë, në vendin më të mirë, në qytetin më të bukur në botë”, tha Abdixhiku.
Ai tha se do të zhbllokohet projekti i unazës së kryeqytetit e po ashtu premtoi investime të mëdha në arsim, duke thënë se Prishtina do të jetë qyteti i parë me mësim tërëditor në të gjitha shkollat.
PSD-ja me kritika për opozitën dhe për disa media
Partia Socialdemokrate ka vazhduar aktivitetin elektoral me publikimin e videomesazheve, nëpërmjet të cilave, krahas opozitës, ka kritikuar edhe një numër mediash.
Kandidatja për deputete, Natyra Kuçi, ka theksuar se me mesazhet që kanë dhënë deri tash përfaqësuesit e dy subjekteve kryesore në opozitë, kanë treguar se synojnë t’i bashkohen Vetëvendosjes në qeverisje, pas zgjedhjeve. Ajo ka bërë thirrje të votohet PSD-ja, pasi ka thënë se Kosovës i duhet opozitë që e ruan demokracinë dhe që flet çdo ditë për autoritarizmin.
“Mbrëmë e pamë që Lumiri edhe ish lodhur edhe ish dorëzuar. Këtë e shpjegoj demek qytetarët janë lodhur. Lumiri nuk e sheh politikën si ide, por si pushtet. E kur e sheh që nukmrat nuk i ka për pushtet, lodhet e dorëzohet”, ka thënë ajo.
Sipas saj, deklarata e Lumir Abdixhikut të LDK-së, se pas zgjedhjeve dëshiron të punojë, përkthehet në bashkëqeverisje me Vetëvendosjen.
“Kjo me punu kur e din që nuk ke me fitu, i bie me nda pushtetin me Kurtin, me qeverisë me Kurtin”, ka thënë ajo në videon e publikuar në llogarinë e saj në Facebook.
Ajo ka thënë se bazuar në deklaratën e Abdixhikut në një televizion, ai i ka rënë pishman që ka shkuar në zgjedhje. Meqenëse po e sheh që nuk e ka rezultatin që e ka pritur, ai po do me çdo kusht me nda pushtetin me Kurtin”, ka thënë Kuçi.
E kryetari i PSD-së, Dardan Moliqaj, është ankuar në disa televizione, në listën e të cilave nuk e ka përfshirë KTV-në. Ai ka thënë se ato duan ta përmbysin rregullin e demokracisë, për interesa të ndryshme, disa pse, sipas tij, janë me pushtetin e disa me opozitën e deridjeshme. Ai ka paralajmëruar ankesa për trajtim të pabarabartë.
“Për 5 ditë të fushatës, disa televizione po e shkelin Rregulloren për Zgjedhje për përfaqësim të drejtë e të barabartë të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje. Debati është jashtëzakonisht i rëndësishëm në demokraci. Pa debat nuk mund të shpërfaqen ide të reja e penalizohet çdo subjekt që dëshiron të hyjë në Kuvend. Thirrja e jonë është që kjo padrejtësi të mos tolerohet. Prandaj, na thirrni në debate, ne jemi të gatshëm për cilindo debat, kurdo e kudo!”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
E kandidati tjetër, Nol Nushi, ka nxjerrë një video nga një emision, duke treguar pse sipas tij, Vjosa Osmani nuk mund të jetë presidente.
Gjini premton termocentral të ri me qymyr dhe e autostradën e Dukagjinit
Kandidati për kryeministër dhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka paraqitur zotimin e tij për energjinë, duke thënë se mungesa e vizionit për këtë sektor po i kushton vendit shtrenjtë me import dhe taksa të fshehura.
Gjini ka thënë se Aleanca e ka një vizion te qartë dhe të prerë për sektorin energjetik. “Në energji do të investojmë në modernizimin e KEK-ut, do të rinisim menjëherë projektin e gazsjellësit dhe do të ulim TVSH-në e rrymës. Gjithashtu për të garantuar pavarësinë energjetike të Kosovës do të ndërtohet Termocentrali i ri me qymyr”, ka thënë Gjini.
Duke folur për infrastrukturën rrugore Gjini ka premtuar përfundimin akseve për Gjilan, Mitrovicë, Podujevë e Gjakovë, që sipas tij kanë mbetur peng.
“Do të nisim e do ta përfundojmë autostradën e Dukagjinit dhe projektin strategjik për hekurudhën Prishtinë – Durrës”, ka thënë ai në një videoadresim të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin Facebook.
E kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie në legjislaturën e shkuar, Besnik Tahiri të martën ka nxjerr një fjalim të shkurtër nga një tubim i mëhershëm, ku ka treguar pse sipas tij duhet të votohet Aleanca.
“Vota sot për numrin 128 është votë me pas Aleancën në parlament më të fortë se kurrë, është votë që do të sjellë qëndrim politik në çdo etapë, është votë dhe besim që kurrë nuk do të tradhtohet, kurrë nuk do të liget, gjithmonë do ta ballafaqojë të keqen dhe gjithmonë do ta mbështesë të mirën. Votoni numrin 128”, ka thënë ai në video.
Kandidatja e kësaj partie edhe për një mandat, Time Kadrijaj, ka mbajtur tubim të martën me banorët e fshatrave të Deçanit. Ka folur para banorëve të Strellcit të Poshtëm dhe atij të Epërm.
“Mobilizimi, energjia dhe mbështetja e tyre masive konfirmuan edhe një herë se rruga jonë është ajo e zhvillimit dhe e sukseseve të përbashkëta. Me besimin e plotë të qytetarëve tanë, ecim të sigurt drejt fitores për Aleancën dhe kandidatin tonë për Kryeministër, Ardian Gjini!”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo, gjatë së martës ka bërë edhe një postim, ku ka nxjerrë një foto me kandidatin e kësaj partie për kryeministër, Ardian Gjini. Në përshkrimin e fotos, ajo ka thënë se Gjini, që është edhe kryetar i Gjakovës, është kandidati më i mirë për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit.
Hamza: Sigurime shëndetësore, barna falas e shërbime cilësore
Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar të martën zotimin e tretë të programit të tij qeverisës që është ofrimi i shërbimeve cilësore shëndetësore.
Hamza, në një konferencë për media, ka thënë se kudo në Kosovë ka takuar mijëra qytetarë që janë lodhur nga pasiguria, sistemi i dobët shëndetësor dhe kostoja e lartë e mjekimit.
“Një pensionist pyet veten nëse do t’i blejë ilaçet me dozat e mjaftueshme apo do ta paguajë faturën e energjisë. Një prind pret me muaj për një termin specialistik. Një pacient detyrohet të kërkojë trajtim jashtë vendit, sepse nuk e gjen këtu. Kjo nuk është normale. Dhe kjo duhet të ndryshojë. Prandaj sot kam kënaqësinë të prezantoj zotimin tonë të tretë: Shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për të gjithë. Sepse shëndeti nuk është privilegj. Është e drejtë. Dhe sepse një shtet matet jo nga premtimet që bën, por nga kujdesi që tregon për qytetarët e tij kur ata kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Hamza.
Ai po ashtu ka premtuar se do të krijojë Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, do ta modernizojë QKUK-në dhe do ta ndërtojë Spitalin Rajonal të Prishtinës.
“Do të zbatojmë Programin Kombëtar për Kancerin, me diagnostikim të hershëm, skrining dhe trajtim sipas standardeve evropiane. Do ta afrojmë shëndetësinë te qytetari përmes mjekësisë mobile, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta. Do të krijojmë qendra moderne rehabilitimi dhe kujdesi të specializuar për pacientët që kanë nevojë për trajtim afatgjatë. Do të themelojmë Qendrën Kombëtare për Trajtimin e Varësive, për të ndihmuar njerëzit dhe familjet që sot përballen me këtë problem. Do të mbështesim prodhimin vendor farmaceutik, për më shumë siguri në furnizim dhe më shumë vende pune. Do ta digjitalizojmë sistemin shëndetësor, me dosje elektronike, termine online dhe shërbime më të shpejta për qytetarët”, ka thënë Hamza.
Ai ka ftuar qytetarët që më 7 qershor ta votojnë numrin 125 për t’i thënë sipas tij, Stop krizës në çdo sektor.
“Shëndetësia nuk është shpenzim. Shëndetësia është investim. Investim në jetën e njerëzve. Investim në dinjitet. Investim në të ardhmen e Kosovës”, është shprehur Hamza.
Osmani: Mitrovica do ta ketë spitalin më të madh në Evropën Juglindore
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Mitrovicë të martën ka vlerësuar rolin dhe kontributin e këtij qyteti në historinë, ekonominë dhe kulturën e Kosovës, duke theksuar se meriton vëmendje të veçantë dhe projekte zhvillimore për të ardhmen.
Ai e ka përshkruar Mitrovicën si një qytet me karakter dhe me njerëz punëtorë e krenarë.
E bartësja e listës dhe kandidatja e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmani, ka vënë theksin te investimet strategjike në shëndetësi, zhvillimi ekonomik dhe siguria, duke e cilësuar qytetin si qendër të ardhshme rajonale të zhvillimit.
Ajo ka thënë se në Mitrovicë do të ndërtohet spitali më i madh në Evropën Juglindore.
“Ky investim prej mbi 200 milionë euro, nëpërmjet të cilit do të ndërtohet spitali më i madh në Evropën Juglindore dhe më i avancuari, që do ta bashkojë të dy Mitrovicat dhe njëkohësisht do ta shpëtojë këtë sektor më shumë se në çdo vend tjetër në Evropën Juglindore”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, ajo vetë ka insistuar që projekti të realizohet në Mitrovicë.
“Ky do të jetë investimi më i madh në historinë e shtetit tonë, investimi më i madh që Mitrovica ka parë ndonjëherë dhe për këtë arsye, pas takimeve tona me aleatët tanë kam insistuar që ky projekt të realizohet pikërisht këtu në Mitrovicë”, ka thënë Osmani.
Me realizimin e këtij projekti, sipas saj, Mitrovica do të shndërrohet në qendër rajonale të shëndetësisë, industrisë dhe turizmit.
“Unë besoj te Mitrovica, besoj te njerëzit e saj, te potenciali i saj dhe besoj se Mitrovica meriton të jetë qendër rajonale e shëndetësisë, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore”, ka thënë ajo.
Gjatë fjalimit, ka premtuar po ashtu se Trepça, do të kthehet në motor zhvillimi ekonomik.
“Ne do ta rikthejmë Trepçën, jo në problem të Kosovës, por në sukses të Kosovës siç ka qenë, në mënyrë që ky gjigant ekonomik të rikthehet në model të motorit të zhvillimit në të gjithë rajonin”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, synimi është që të rinjtë të ndërtojnë jetën në vend.
“Ne nuk duam që rinia e Mitrovicës të largohet nga këtu, e duam që ata ta ndërtojnë jetën pikërisht këtu, të punojnë këtu, të krijojnë familjet e tyre dhe ta ndërtojnë të ardhmen”, ka thënë Osmani.
Kurti zotohet për projekte në Malishevë, Rahovec e Suharekë
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një tubim të mbajtur në fshatin Bellanicë të Malishevës ka premtuar se në mandatin e ri do të shtohen investimet në rrugë, ujë të pijshëm, impiante për trajtimin e ujërave të zeza, arsim, sport e banim të përballueshëm.
Kurti ka theksuar se Malisheva meriton zhvillim të qëndrueshëm dhe investime që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Ndërsa kandidati për deputet, Gani Krasniqi, ka folur për rëndësinë e organizimit qytetar dhe mbështetjes për siç ka thënë një qeverisje që investon në zhvillim afatgjatë.
Kandidati tjetër për deputet, Valon Hoti, ka vënë në pah potencialin e madh të Malishevës dhe domosdoshmërinë që projektet zhvillimore të përfundojnë me përkushtim dhe vendosmëri.
Gjatë ditës Kurti ka vizituar edhe Njësinë për Dronë dhe Antidronë në kuadër të Policisë ku ka njoftuar se njësia është në proces të avancimit dhe zgjerimit të strukturës së saj organizative, përmes angazhimit të stafit nga fusha të ndryshme të teknologjisë, robotikës, inxhinierisë elektronike e mekanike.
Ai ka ndarë edhe një video nga një tubim në Rahovec, ku ka folur për ndihmën e shtetit për bujqit dhe për ndihmën që i pret ata.
“Në Rahovec kemi mbështetur rritjen e prodhimtarisë, fuqizimin e fermerëve dhe modernizimin e sektorit rural. Rreth 12 mijë bujq kanë përfituar nga përkrahja direkte qeveritare, në vlerë totale prej mbi 26 milionë euro. Në mandatin e ri do të ndërtojmë edhe Qendrën Rajonale për Agropërpunim dhe Verëtari, si dhe do të zbatojmë Programin Rajonal për Ujitje Moderne. Krejt Rahoveci për shtet, për shtet për krejt. Qitja pikën: 116!”, ka shkruar Kurti.
Ai ka qëndruar edhe në Suharekë. Pos tubimit me qytetarë, ka vizituar edhe klubin e futbollit Ballkani, për të cilin ka premtuar stadium modern.
“Në fillim të shtatorit të vitit të kaluar kanë filluar punimet për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Therandë, në përputhje me Kategorinë II plus të rregulloreve dhe udhëzimeve teknike për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA. Ky investim prej mbi 10 milionë eurosh, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pritet të përfundojë brenda rreth dy vjetësh dhe do të ketë kapacitet deri në 6,600 ulëse”, ka premtuar Kurti.
Gjini në Anamoravë premton kthim të projekteve të mëdha: Autostrada s’mund të mbetet peng
Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka premtuar se Anamoravës do t’ia kthejnë projektet e mëdha.
Në një video të postuar në rrjetin social Facebook, pas tubimit të mbajtur të hënën në Gjilan, Gjini ka folur për prioritetet e Anamoravës dhe projektet infrastrukturore të mbetura pezull.
Ai ka theksuar se Anamorava ka qenë gjithmonë prioritet i qeverisjes së Aleancës, duke kujtuar nisjen e Autostradës së Gjilanit si një ndër projektet e para të qeverisjes së atëhershme.
“Anamorava ka qenë gjithmonë prioritet i Qeverisjes së Aleancës, gjë që e dëshmuam me nisjen e Autostradës së Gjilanit si një nga projektet tona të para. Fatkeqësisht, kjo qeverisje nuk e ka prioritizuar asnjëherë këtë projekt”, ka thënë Gjini.
Ai ka kritikuar gjendjen aktuale të projektit, duke shtuar se qytetarët e Anamoravës e njohin më së miri realitetin në terren.
Sipas Gjinit, me planin konkret të Aleancës, Gjilanit dhe gjithë Anamoravës do t’u rikthehen projektet e mëdha zhvillimore.
“Gjilanit dhe Anamoravës, me planin tonë konkret, do t’ia kthejmë projektet e mëdha”, është shprehur Gjilan.
Gjini po ashtu ka thënë se “çdo faturë e shtrenjtë e rrymës dhe çdo rrugë e mbetur në gjysmë janë taksë e fshehur që e paguajnë familjet tona”.
“Aleanca vjen me një plan të pastër pune për të garantuar pavarësinë tonë energjetike”, ka deklaruar ai.
Hamza prezanton zotimin për shëndetësi: Sigurime shëndetësore, barna falas, e shërbime cilësore
Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një konferencë për media ka prezantuar zotimin e tretë të programit të tij qeverisës që është ofrimi i shërbimeve cilësore shëndetësore.
Hamza, ka theksuar se kudo në Kosovë ka takuar mijëra qytetarë që janë lodhur nga pasiguria, sistemi i dobët shëndetësor dhe kostoja e lartë e mjekimit.
“Një pensionist pyet veten nëse do t’i blejë ilaçet me dozat e mjaftueshme apo do ta paguajë faturën e energjisë. Një prind pret me muaj për një termin specialistik. Një pacient detyrohet të kërkojë trajtim jashtë vendit, sepse nuk e gjen këtu. Kjo nuk është normale. Dhe kjo duhet të ndryshojë. Prandaj sot kam kënaqësinë të prezantoj zotimin tonë të tretë: Shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për të gjithë. Sepse shëndeti nuk është privilegj. Është e drejtë. Dhe sepse një shtet matet jo nga premtimet që bën, por nga kujdesi që tregon për qytetarët e tij kur ata kanë më së shumti nevojë”, ka deklaruar Hamza.
Lideri i PDK-së, Bedri Hamza u zotua që Qeveria e udhëhequr nga ai do të zbatojë sigurimet shëndetësore, do të sigurojë furnizim të rregullt me barna esenciale dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike, do të krijojë Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, do ta modernizojë QKUK-në dhe do ta ndërtojë Spitalin Rajonal të Prishtinës.
“Do të zbatojmë Programin Kombëtar për Kancerin, me diagnostikim të hershëm, skrining dhe trajtim sipas standardeve evropiane. Do ta afrojmë shëndetësinë te qytetari përmes mjekësisë mobile, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta. Do të krijojmë qendra moderne rehabilitimi dhe kujdesi të specializuar për pacientët që kanë nevojë për trajtim afatgjatë. Do të themelojmë Qendrën Kombëtare për Trajtimin e Varësive, për të ndihmuar njerëzit dhe familjet që sot përballen me këtë problem. Do të mbështesim prodhimin vendor farmaceutik, për më shumë siguri në furnizim dhe më shumë vende pune. Do ta digjitalizojmë sistemin shëndetësor, me dosje elektronike, termine online dhe shërbime më të shpejta për qytetarët”, ka shtuar Hamza.
Kreu i PDK-së ftoi qytetarët që më 7 qershor ta votojnë numrin 125 për t’i thënë STOP krizës në çdo sektor.
“Shëndetësia nuk është shpenzim. Shëndetësia është investim. Investim në jetën e njerëzve. Investim në dinjitet. Investim në të ardhmen e Kosovës. Sepse, siç kam dëshirë ta them unë: shëndetësia, mbi të gjitha, është edhe ekonomi. Sepse një popull i shëndoshë, është një ekonomi e shëndoshë. Më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës. Dhe bashkë do ta ndryshojmë Kosovën”, u shpreh Hamza./EO