Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2019

Vetëvendosje zotohet për mbrojtjen e punëtorëve

Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka hapur fushatën zgjedhore të enjten në komunën e Novobërdës duke u premtuar banorëve se me ardhjen e tyre në pushtet do të marrin masa për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe reforma në zhvillimin ekonomik.

VV-ja është zotuar se do të zbatojë programin e tyre duke krijuar vendet e reja të punës për të rinjtë dhe sigurimin e mirëqenies sociale për kategoritë e tjera shoqërore.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i cili është edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se shteti ka dështuar në mbrojtjen e punëtorëve në sektorin privat të cilët janë të rrezikuar në vendet e tyre të punës dhe të cilët nuk gëzojnë një pagë të dinjitetshme.

“Vetëm vitin e kaluar kanë humbur jetën mbi 20 persona në vendin e tyre të punës. Shëndeti i punëtorit është i cenueshëm, vendi i punës është i paqëndrueshëm dhe kontrata e punës janë shumë të shkurta. Nxjerrja nga puna është shumë e lehtë dhe pa asnjë lloj pasoje për punëdhënësin. Shpesh punëdhënësi u mbet punëtorëve më shumë se një pagë borxh dhe askush nuk e mbron punëtorin për të drejtat e tyre” ka thënë ai.

Ka deklaruar se si pasojë e mos zbatimit të ligjit nga organet e shtetit ka ndikuar që të rinjtë të humbasin shpresën dhe të largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian me qëllim që të sigurojnë një vend pune dhe një pagë të dinjitetshme. Ai ka deklaruar se me ardhjen e tyre në pushtet gjendja do të ndryshojë.

“Punëtori është duke u shkelur në Kosovë të rinjtë ikin nga papunësia mirëpo të rinjtë ikin edhe nga puna sepse të punosh në Kosovë është shpeshherë brutale për shkak të kushteve të vështira të punës”, ka thënë Konjufca.