Nisma Socialdemokrate, dega në Lipjan ka akuzuar drejtorin e Administratës në komunën e Lipjanit, Avni Olluri (LDK), për blerje të votave në oborrin e shkollës “Katër Dëshmorët” në fshatin Krojmir.
Sipas subjektit Nisma Socialdemokrate, drejtori Olluri po orienton votuesit që fillimisht të lajmërohen në një shitore brenda oborrit të shkollës e pastaj të kalojnë në qendrën e votimit.
Selatin Rizani, shef i shtabit zgjedhor në subjektin Nisma Socialdemokrate në Lipjan, ka thënë se rreth kësaj çështje ka njoftuar KKZ-në dhe Policinë e Kosovës, mirëpo deri tashti nuk kanë marrë masa.
“Shitorja në oborr të shkollës (pa leje ndërtimore) është e hapur edhe në ditën e zgjedhjeve megjithëse nuk ka mësim. Mund t’i shihni edhe fotot se si janë renditur banorët për t’u lajmëruar fillimisht në shitore sepse aty po blihet vota dhe po krijohet presion te qytetarët nga drejtori i administratës Avni Olluri i cili vije po nga ky fshat. Që nga mëngjesi Olluri është brenda në shitore me listë në dorë dhe me para të gatshme ku sëpari hynë votuesi me ftesë për t’u lajmëruar e pastaj shkon dhe voton në shkollë”, ka akuzuar Rizani, raporto Koha Ditore.
Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë të marrin masa urgjente dhe ta hetojnë rastin.
{gallery}