Arbërie Nagavaci e Vetëvendosjes ka thënë se vonimi i numërimit të votave po tregon pasqyrë jo të mirë për procesin zgjedhor në Kosovë.
Pas vendimit të KQZ-së që të dërgohen në rinumërim edhe 530 vendvotime, Nagavci, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se është mirë që të bëhet eliminimi i çdo dyshimi eventual për manipulime me vota.
“Nëse ka shkelje, secili duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë ajo, teksa ka thënë se komisionerët e VV-së ishin të përgatitur e të këshilluar vazhdimisht që të “ruajnë e të përcjellin drejt vullnetin e qytetarëve”.
Për vendimin e KQZ-së që të mos numërojë rreth 4500 fletëdërgesa nga diaspora, për shkak të ardhjes së tyre me vonesë, Nagavci ka thënë se presin që pas ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të mundësohet ky numërim.
“Janë mbi 4500 fletëdërgesa. Secila mund të ketë më shumë vota. Është mohim i një të drejte kushtetuese sepse siç është kuptuar, të gjitha dërgesat janë përcjellë me kohë, por për shkaqe teknike s’janë pranuar dhe vlerësojmë se është jo e drejtë të mohohet vullneti i tyre. Secila votë duhet të numërohet, pas vendimit të KQZ-së jemi ankuar në PZAP e besojmë se PZAP-ja do të marrë kërkesën tonë e do të numërohet çdo votë”, ka deklaruar më tej ajo.
Ajo ka thënë se janë një numër i madh i aktivistëve dhe qytetarëve që kanë ardhur fizikisht në Kosovë edhe në mënyrë të organizuar edhe si familje për të votuar.
Ajo ka thënë se kjo nuk është hera e parë, që mërgata vazhdimisht ka ditur të përfshihet në proceset e rëndësishme për vendin.
“Ne besojmë se vota e gjithsecilit duhet të numërohet, edhe për shkak të obligimit kushtetues, por edhe për të vlerësuar kontributin e tyre në secilin proces”, ka thënë ajo.