Naser Dervishaj jeton në Zvicër. Të dielën, ai ka ardhur në Mitrovicën e Jugut vetëm që të votojë për zgjedhjet e parakohshme.
Dervishaj shpreson që me votën e tij të ndikojë në zgjedhjen e një qeverie e cila nuk do t’i lejojë të rinjtë të ikin nga vendi, siç bëri ai para më shumë se një dekade, raporton KTV.
Përpos gruas dhe vajzës së tij, Dervishaj me vete në qendrën e votimit, ka marrë edhe një mike të tij zvicerane.
“Procesi zgjedhor në Kosovë qenka pothuajse i njëjtë me atë që zhvillohet në Zvicër. Nuk paska ndonjë dallim të madh”, ka thënë Ana Casares, mysafire nga Zvicra.
Të tjerë votues i kanë kërkuar qeverisë së ardhshme që ta bashkojë jugun dhe veriun e Mitrovicës.
Vendvotimet në qendrën më të madhe votuese në Mitrovicën Jugore, sipas zyrtarëve, janë hapur me kohë dhe nuk ka pasur parregullsi gjatë procesit.
227 persona angazhoi rrjeti i organizatave “Demokracia në Veprim” për monitorimin e procesit zgjedhor.
Ndonëse është njëri ndër fshatrat më të mëdhenj të Mitrovicës Jugore, pak banorë të Kqiqit kanë dalë për të votuar. Arsye për këtë, sipas tyre, është zhgënjimi me politikanët.
Të tjerë votues nga ky fshat presin ndryshime pas 6 tetorit.
Për ta, është e rëndësishme që qeveria e ardhshme të përbëhet nga njerëz që mendojnë për qytetarët.
Ashtu si në jug të Mitrovicës, proces i qetë zgjedhor është zhvilluar edhe në Vushtrri. Më të shumtë në numër, vushtrriasit ia kanë mësyrë kutive të votimit gjatë orëve të pasdites.
Në qendrën më të madhe votuese të kësaj komune, deri në orën 15:00, kanë votuar mbi tre mijë e 500 banorë.
Disa vushtrrias janë shprehur të befasuar me pjesëmarrjen në zgjedhje, derisa të tjerë kanë thënë se nga këto votime nuk do të përfitojnë asgjë.
Ndërsa në Milloshevë një person është arrestuar për fotografim të votës, kurse një votuese nuk ka arritur ta gjejë emrin e saj në listë.
Procesi zgjedhor në Vushtrri e Mitrovicë Jugore, sipas zëdhënësit të policisë për këtë rajon, Avni Zahiti, është zhvilluar pa ndonjë incident.