Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2019

LDK-ja thotë se aktivistë të PDK-së e kanë sulmuar fizikisht një arsimtar në Kçiq të Madh

Foto: Driton Paçarada / Koha

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një komunikate për media ka njoftuar se aktivistë të PDK-së ka sulmuar fizikisht një arsimtar të shkolles fillore “Bislim Imeri” në Kçiq të Madh të Mitrovicës.

"LDK dënon ashpër sulmin brutal nga aktivistët e PDK-së, kundër Fidan Kamberit, arsimtarit të shkollës fillore ‘Bislim Imeri’ në Kçiq të Madh të Mitrovicës. LDK-ja konfirmon se Fidan Kamberi është vëllai i kryetarit të Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi. Fidan Kamberi ka qenë i angazhuar nga shkolla "Bislim Imeri" për t'u kujdesur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, nga sulmi brutal, ai ka marrë lëndime serioze dhe po trajtohet në emergjencën e Spitalit të Mitrovicës.

“LDK-ja kërkon nga organet kompetente kapjen sa më të shpejtë të autorëve të këtij sulmi dhe ndriçimin e motivit të tij. LDK-ja kërkon nga subjektet garuese të ndikojnë për parandalimin e sulmeve të tilla”, thuhet tutje në komunikatë.

Koha.net ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, i cili e ka konfirmuar rastin por se nuk ka dhënë detaje.

“Kemi informacione, rasti është duke u trajtuar, për momentin nuk mund të japim detaje të tjera”, ka thënë ai.