Zgjedhjet 2019

I dënuari për korrupsion, kandidat i LDK-së për deputet

Haki Raqi është njëri nga kandidatët e LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Raqi vite më parë e ka pranuar që ka kryer korrupsion. Kjo pasi që rreth katër vjet me parë Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzonte Raqin dhe tre zyrtarë të tjerë të Komunës se Obiliqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Koha Ditore.

Vepra penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’ hyn në kapitullin e veprave penale të korrupsionit. Kandidati i LDK-së për deputet atëkohë zyrtar në komunën e Obiliqit, Raqi së bashku me dy zyrtarë të tjerë të akuzuar për korrupsion patën bërë marrëveshje për pranim të fajësisë e cila ishte nënshkruar nga tre të pandehurit, prokurori i rastit dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë që në atë kohë ishte Imer Beka.

Marrëveshja për pranim të fajësisë i pati shpëtuar këta tre zyrtarë nga ndonjë aktgjykim i mundshëm dënues me burg, si dhe nga procesi i gjykimit.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë parashihte që tre të akuzuarit të dënoheshin me nga 5 muaj burgim me kusht dhe detyroheshin të paguanin 7 mijë euro.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Prishtinë që në gjykatë ishte trajtuar në vitin 2016, zyrtarët komunalë ia kishin mundësuar Kompanisë “Ardi” një përfitim material duke ia pranuar punët e pakryera në parkun rekreativ të Obiliqit.

Raqi ishte anëtar i komisionit për pranimin e punimeve. Rreth një vit me vonë pas këtij dënimi, sërish ishte kthyer në bankën e të akuzuarit për korrupsion.

Në aktakuzën kundër ish-kryetarit të Obiliqit, Mehmet Krasniqi ishte i akuzuar edhe Raqi dhe disa zyrtarë të tjerë të komunës.

Gjykata Themelore në Prishtinë e edhe ajo e Apelit i shpallën të pafajshëm karshi akuzave të Prokurorisë Speciale për korrupsion.

Megjithatë në shkurt të këtij viti Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Aktgjykimi i Supremes ka konstatuar se dy shkallët e gjykatës e kanë shkelur ligjin në favor të të akuzuarve kur e kanë liruar nga akuzat për korrupsion ish-kryetarin e Obiliqit dhe zyrtaret e tjerë.

Sipas aktgjykimit të Supremes dy shkallët e gjykatës arsyet e lirimit të këtyre zyrtarëve nga akuzat për korrupsion janë të paqarta dhe të pa plota.

Përkundër aktgjykimit të Supremes për shkelje të ligjit nga ana e gjyqtarëve për vendimin në lidhje me këtë rast këta zyrtarë nuk mund të ndiqen për të njëjtat vepra sërish. Kjo pasi që Kodi i Procedurës Penale në Kosovë parasheh që nëse Supremja konstaton shkeljen e ligjit në dëm të akuzuarve atëherë lënda kthehet në rigjykim.

Ndërsa në rastet kur procedurat ose ligji shkelet në favorin e të akuzuarve Gjykata Supreme vetëm konstaton gabimet por pa ndikuar në procedurën gjyqësore.