Zgjedhjet 2019

Ferdonije Qerkezi voton, por nuk ka shpresë për brengën e saj të madhe

Qysh në mëngjes, kishte dalë në vendvotim. E duke kryer këtë obligim, Ferdonije Qerkezi, nënë e tre djemve të zhdukur, kërkon që qeverisja e ardhshme të punojë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Përpos Ferdonijes, edhe qytetarë të tjerë të Gjakovës kanë votuar këtë të diel. Disa prej tyre edhe në gjendje jo të mirë shëndetësore, raporton KTV.

Vendvotimet në qytetin e Gjakovës u hapën me kohë në orën 7:00 të mëngjesit, duke mos u krijuar asnjë parregullsi.

Mirëpo, jo të gjithë ishin të kënaqur me mënyrën e si funksiononte qendra në Gjimnazin “Hajdar Dushi”.

E, për procesin zgjedhor në këtë qendër foli menaxheri i saj, Bedri Cahani. Ai tha se çdo gjë po shkon sipas planit, ndonëse numri i votuesve në orët e para të mëngjesit nuk ishte i kënaqshëm.

Parregullsitë në këtë komunë u shprehën shumë herët. Qysh në orën 8:00 të mëngjesit një person është kapur duke e fotografuar votën. Mes tjerash, në një nga fshatrat e Gjakovës pati edhe përleshje verbale mes komisionerëve.

Përveç këtyre parregullsive, Demokracia në Veprim ka evidentuar edhe të tjera.

Në Komunën e Gjakovës janë të regjistruar mbi 113,000 qytetarë për të votuar në 34 vendvotime. Deri në orën 15:00, për të votuar kishin dalë rreth 25.8%.