Zgjedhjet 2019

Pesha e votave të diasporës për përbërjen e re të Kuvendit

Foto: Driton Paçarada / KD
 

Votat e diasporës po e mbajnë pezull shpalljen dhe certifikimin e rezultatit final të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, pas procesit të rinumërimit. Janë 392 pako me vota nga diaspora, të cilat mbeten të rëndësishme si për partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje ashtu edhe për koalicionin Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.

Përderisa për Vetëvendosjen, këto vota mund të nënkuptojnë 2 apo 3 deputetë më shumë, për koalicionin Nisma, AKR dhe PD, votat e diasporës, sipas vëzhguesve, kanë efektin e kundërt, pasi që besohet se me përfshirjen e tyre në rezultatin final mund të ndikohet në çështjen e kalimit të pragut zgjedhor për këtë koalicion që aktualisht thotë se i ka fituar gjashtë mandate në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.