Zgjedhjet 2019

Limaj e quan fitore të ligjshmërisë në Kosovë vendimin e Supremes

Refuzimi i Gjykatës Supreme ndaj ankesës së Vetëvendosjes për votat e ardhura nga Serbia, sipas kryetarit të Nismës Socialdemorate, është fitore e ligjshmërisë.

Fatmir Limaj, në një reagim pas këtij vendimi, ka thënë se vendimi i sotëm “mbrojti integritetin e zgjedhjeve të cenuara nga veprimet e paligjshme”.

Me vendimin e Supremes, Nisma me koalicionin me AKR-në dhe PD-në, janë aktualisht mbi pragun prej 5 për qind nga zgjedhjet e 6 tetorit dhe nëse rinumërimi nuk ndërron numrin e votave të koalicionit, ky koalicion do të ketë gjashtë deputetë në legjislaturën e re.

“Gjykata Supreme dhe PZAP me këto vendime treguan se shteti ligjor këtu funksionon dhe institucionet e këtij shteti ligjor janë gardian në mbrojtje të ligjit dhe demokracisë në Kosovë, dhe se ato kanë integritet të lartë profesional e shtetëror dhe nuk lejuan asnjë interferim nga jashtë, por në mënyrë strikte e kthyen ligjshmërinë në këtë proces, i cili ishte sfiduar seriozisht nga njerëz të papërgjegjshëm, që për përfitime të tyre ishin të gatshëm të dëmtojnë procesin më të rëndësishëm në një shtet ligjor, siç janë zgjedhjet e lira. Ne si Nismë ndihemi krenar që ngritëm zërin dhe u angazhuam fuqishëm me gjithë kapacitetin tonë që të mos lejojmë para syve tanë individë të caktuar përmes kontrabandimit të deformojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit”, ka thënë Limaj, ka njoftuar Nisma në Facebook.

Sipas tij, vendimi i Supremes është “fitore për Kosovën”.

“Ne fort besojmë që angazhimi ynë si parti, që solli këto dy vendime është fitore për Kosovën dhe këto vendime do t’i shërbejnë përgjithmonë Kosovës dhe zgjedhjeve që do të mbahen të ardhmen. Pas këtij vendimi në dy shkallët më asnjëherë nuk mund që persona të papërgjegjshëm të grabisin e deformojnë vullnetin e qytetarëve në mënyre të paligjshme, siç kanë tentuar këtë radhë. Sot ka fituar Kosova e gjithë atyre që duan ta shohin një shtet funksional, ligjor e demokratik, që nuk bën kompromise të ndyra, në dëm të ligjit e rrjedhimisht edhe në dëm të shtetit ligjor”, ka shkruar më tej ai në Facebook duke shtuar se “të gjithë ndihemi më të sigurt nga profesionalizmi dhe integriteti juaj profesional që keni treguar në këtë çështje” duke iu drejtuar gjyqtarëve.