Zgjedhjet 2019

Shumica e grave deputete siguruan ulëse në Kuvend pa kuotë

Foto: Koha / ilustrim

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shumica e grave deputete të ardhshme kanë siguruar ulëset në Kuvendin e Kosovës pa pasur nevojë për kuotë gjinore.

Ligji për barazi gjinore në Kosovë obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Albert Krasniqi, njohës i zhvillimeve politike në Kosovë në rrjetin social Facebook ka shkruar se në këto zgjedhje do të ketë më së paku gra të zgjedhura në Kuvend me kuotë gjinore, vetëm 13 nga 39 të zgjedhura.

Sipas tij, kuotës gjinore gradualisht po i humbet rëndësia. “Koha të mendohet për kuota gjinore në lista të kandidatëve 50/50”, ka shkruar ai në Facebook.

Të gjitha deputetet e ardhshme (njëmbëdhjetë) të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shkruar ai, kanë siguruar ulëset në Kuvendin e Kosovës në bazë të votave të fituara në zgjedhje.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës si deputete të ardhshme nëntë kanë hyrë si të zgjedhura, ndërsa dy deputete kanë hyrë përmes kuotës gjinore.

Në Partinë Demokratike të Kosovës tetë deputete kanë siguruar ulëse si të zgjedhura, ndërsa gjashtë kanë hyrë përmes kuotës gjinore. Në koalicionin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, katër deputete kanë siguruar ulëset si të zgjedhura, ndërsa pesë përmes kuotës gjinore.

Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, tha për Radion Evropa e Lirë se sigurimi i ulëseve nga shumica e deputeteve të ardhshme pa pasur nevojë për kuotë gjinore, vë në pah rritjen e fuqisë politike të grave.

Sistemin e kuotave në Kosovë për herë të parë e pati aplikuar Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në vitin 2000. Në bazë të një rregulloreje kërkonte që së paku 30 për qind të kandidatëve në listat e partive të jenë të gjinisë femërore.

Të plotë mund ta lexoni në REL