Lëvizja Vetëvendosje ka ushtruar sërish ankesë në Gjykatë Supreme lidhur me pakot me fletëvotime nga bashkatdhetarët tanë që, siç thotë kjo parti, “i dërguan me kohë fletëvotimet e tyre”.
VV thotë se gjyqtarët Gyltene Sylejmani, Nenad Llaziq, Afjete Sada-Gllogjani, Kymete Kicaj, Zyhdi Haziri, Rrustem Thaqi, Ferki Xhaferi, Faton Ademi dhe Adnan Konushevci të PZAP-së, “shpërfillën Aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke e shpallur me 3 nëntor ankesën tonë të pabazuar, dhe ia mohuan sërish të drejtën votuesve nga jashtë Kosovës që t’i numërohet vota”.
“Pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, të gjithë prisnin që të finalizohej çështja e fletëvotimeve nga mërgata dhe të zbatohej plotësisht ky aktgjykim. Por siç dihet Sekretariati i KQZ-së nuk i mori parasysh të gjitha dërgesat e bashkatdhetarëve, plot 1806 pako me fletëvotime, ndaj ishte e nevojshme të ushtrohej sërish ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nga ana jonë më 1 nëntor 2019”, ka thënë VV-ja.
“Ndaj sot ne ia drejtuam sërish Gjykatës Supreme për të njëjtën çështje si edhe në rastin e mëhershëm”, potencon kjo parti.
Më tej, Lëvizja Vetëvendosje thotë se është e paprecendent që vendimet e Gjykatës Supreme të shpërfillen në mënyrë të sinkronizuar qoftë nga KQZ qoftë nga PZAP. “Ata me këto veprime prej 12 tetorit po kontribuojnë aktivisht në shtyrjen e çertifikimin e rezultatit final dhe në tentativën për t’ia mohuar votuesve nga jashtë Kosovës të drejtën e tyre për të zgjedhur”.
VV-ja thotë se “të tilla praktika e nëpërkëmbje të të drejtave të bashkatdhetarëve do të bëjmë çmos që mos të përsëriten më në të ardhmen”.