Zgjedhjet 2019

Nisma: Kemi marrë 5.012 për qind të votave, do të ankohemi për votat nga Serbia

Descriptive Text

Nisma Socialdemokrate ka reaguar pas numërimit të votave nga diaspora.

Përmes një postimi në Facebook, kjo parti ka shkruar se koalicioni Nisma-AKR-PD ka marrë mbi 42 mijë vota ose 5.012 për qind.

“Pas përfundimit të numërimit të votave të rregullta, atyre me kusht, votave të ardhura nga diaspora me kohe dhe atyre me vonesë Nisma dhe koalicioni ynë ka marrë mbi 42 mijë vota apo 5.012% të votave”, thuhet në postimin e Nismës.

Ata i kanë quajtur të prapranushme tendencat që përmes votave të kontrabanduara nga Serbia të minohet rezultati i dalë nga vullneti i rreth 839 mijë votuesve brenda dhe jashtë Kosovës.

“Nisma Socialdemokrate do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore dhe kushtetuese në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 06 tetorit 2019”, thonë ata.

PZAP-ja ditë më parë ka hedhur poshtë kërkesën e kësaj partie , që votat e ardhura nga Serbia të anulohen.