Zgjedhjet 2019

Hoti thotë se s’ka zvarritje drejt marrëveshjes me LVV-në dhe se ajo arrihet menjëherë pas certifikimit të rezultateve

Foto: Driton Paçarada / Koha

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka zvarritje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të LDK-së dhe LVV-së.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se qytetaret më 6 tetor kanë kërkuar ndryshim, duke votuar dy partitë opozitare pothuajse njëjte, të cilat së bashku arrijnë mbi 50% të mandateve në Kuvend, të mjaftueshme për të formuar qeverinë e re.

Ai thotë se janë duke punuar për të dakorduar një program qeverisës që reflekton këtë vullnet të qytetarëve.

“Deri më tani jemi pajtuar për madhësinë dhe organizimin e Qeverisë, e cila do të ketë vetëm 12 ministri që do të kursejë miliona euro dhe do të rris efikasitetin e qeverisjes. Kemi diskutuar në detale programin për zhvillim ekonomik dhe punësim dhe jemi pajtuar për shumicën e çështjeve”, ka thënë Hoti ndër të tjerash, raporton Koha.net.

Sipas tij, në takimet në ditët në vijim do t’i vazhdojnë diskutimet për rendin, ligjin dhe sigurinë, për arsim e shëndetësi, pastaj për politiken e jashtme.

Ish-shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, u shpreh i bindur se marrëveshja do të përmbyllet “sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve”. Pastaj, tha ai, “nuk do të humbim kohë në themelimin e institucioneve të reja”.

Hoti potencoi se diskutimet po mbahen në mënyrë transparente sa u përket temave dhe personave që po i zhvillojnë diskutimet, “një praktikë kjo e pa zbatuar më parë në skenën politike”.