Zgjedhjet 2019

KQZ pa afat për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve

Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk e parashikon një datë të caktuar se kur mund të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor. Numërimi i votave tashmë ka përfunduar.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të rregullta, atyre me postë, votave me kusht, votave nga diaspora, votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe rinumërimi për disa vendvotime ku ishin vërejtur parregullsi. Megjithatë, ai nuk jep edhe një datë se kur do të shpallet rezultati final.

“Nuk ka ndonjë afat ligjor se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shpallë rezultatin përfundimtar të një procesi zgjedhor. Por, ligji parasheh se të gjitha procedurat që duhet të përfundohen deri te shpallja e rezultatit përfundimtar”.

“Në këtë drejtim, KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare të një procesi zgjedhor pasi të numërojë votat më kusht, votat me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendit. Po ashtu, pasi të përfundojnë të gjitha rinumërimet eventuale që bëhen me rekomandim të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Dihet se KQZ-ja ka përfunduar numërimin e këtyre votave”, tha Elezi.

Përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, sipas Elezit, varet tashmë nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Bëhet fjalë për një ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga diaspora në Kosovë jashtë afatit kohor ligjor.

Kjo ankesë fillimisht ishte dërguar në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por ishte kthyer si kërkesë e pabazë. Më pas Vetëvendosje e kishte deponuar të njëjtën kërkesë edhe në Gjykatën Supreme, e cila vendosi pro ankesës së Vetëvendosjes dhe përmes një aktgjykimi e riktheu lëndën në PZAP.

Kurse PZAP edhe kësaj radhe lëndën e ka refuzuar si të pabazuar. Në një komunikatë për media, PZAP thotë se “pala mund të parashtrojë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda afatit ligjor prej 24 orëve, nga momenti i pranimit të vendimit. Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës duhet të vendosë lidhur me ankesën brenda afatit prej 72 orëve”.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në REL.