Zgjedhjet 2019

Kusari-Lila: Fitorja e VV-së më 6 tetor, sukses i arritur tani por i nisur kohë më parë

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se kjo javë e ka rrumbullakuar një proces të gjatë.

Ka thënë se ky është një sukses i arritur tani por i nisur kohë më parë.

“Në mbrëmjen e 6 tetorit u bë një kthesë. Tash ka një pritje, e lidhur me përgjegjësitë e Qeverisë së re, Qeverisë Kurti. E gjithë kjo tregon se sa i domosdoshëm ka qenë ndryshimi për Kosovën”, tha ajo.

Tutje, ajo foli edhe për vendimin për të hyrë në listë me Vetëvendosjen.

“Ftohja erdhi pas mos-arritjes së marrëveshjes parazgjedhore mes VV-së e LDK-së. Në fillim ishte e papranueshme që të futesha në listën e VV-së si individ, pa subjekt politik, por pastaj u harmonizuan qëndrimet dhe, edhe tani jemi si subjekt politik brenda listës, por me listë e me program të përbashkët. Edhe LDK-ja ka kërkuar shkrirje në listën e tyre, por ka qenë e papranueshme. Deri tek bashkëpunimi mendoj se ka qenë i natyrshëm”.

Bashkëpunimi ka qenë në kuptimin e vlerës së shtuar nga të dyja palët.

“Në Gjakovë ka mbetur elektorati që e kam pasur edhe më 2013 edhe më 2017. Sikur të kisha performancë më të dobët, nuk do të kisha kaq shumë përkrahje. Për herë të parë, një parti arrin të kalojë 30% të votave, përveç AAK-së, në Gjakovë. Gjithashtu konsideroj se ka pasur vlerë të shtuar edhe në Komunën e Pejës dhe në qendrat tjera të mëdha”, theksoi ajo.

Ajo tha se partneriteti me LVV-në është shumë i shëndoshë. Thotë se ka qenë bashkëpunim parimor.

“Sado që të kemi mundësi, do të kontribuojmë në qeverisjen e ardhshme”.