Zgjedhjet 2019

PDK në Fushë-Kosovë denoncon LDK-në e VV-në për tentim të manipulimit të votës

Foto: Driton Paçarada / Koha

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Fushë Kosovë, ka raportuar për një tjetër manipulim me vota në këtë Komunën, manipulim që thonë se kanë tentuar ta bëjnë Komisionerët dhe Vëzhguesit e LDK-së.

“Në Qendrën e Votimit me numër 0904E në Miradi të Ulët është tentuar që publikisht të ndikohet në votimin e një qytetareje e cila e ka votuar në vendvotim të gabuar. Komisionerët dhe vëzhguesit e LDK-së kanë tentuar që t'i marrin fletëvotimin dhe t'i japin një tjetër, me qëllim që ta manipulojnë, por votuesja nuk ka pranuar. Qytetarët janë ankuar se qytetarja i është nënshtruar presionit të Komisionerëve dhe të Vëzhguesve të LDK-së. Me ndërhyrjen e vëzhguesve të partive politike dhe kryesuesit, u pengua manipulimi i votës”, ka thënë PDK-ja, dega në Fushë Kosovë.

Ndërsa një tjetër manipulim, sipas PDK-së dega në Fushë Kosovë, ka ndodhur në qendrën e votimit me numër 0901X/01R, në SHFMU “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, me ç’rast tek kutia e votimit është hasur kartela e Lëvizjes VV gjë që bie ndesh me rregullat për zgjedhjet.

“Pasi qytetarja ka gjetur këtë kartelë, ka lajmëruar Komisionerët dhe Vëzhguesit, por një nga Komisionerët që dyshohet të jetë i VV, në vend që të raportojë dhe ta shqyrtojë këtë rast, ai ia merr kartelën dhe e shqyen. Qytetarja ka raportuar për këtë rast edhe tek organet tjera kompetente, ndërsa ne kërkojmë marrjen e masave për parandalimin e parregullsive në qendrat e votimit të cilat e dëmtojnë procesin demokratik”, ka thënë më tej në njoftim PDK-ja në Fushë Kosovë.

Dega e PDK-së në Fushë Kosovë kërkon që të mbrohet vota dhe vullneti i lirë i qytetarëve dhe të respektohen rregullat zgjedhore.