Zgjedhjet 2019

Osmani: Ministrat e qeverisë time nuk do ta kalojnë mëngjesin në gjykata e pasditen në punë

Descriptive Text

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin përmbyllës elektoral në Gjilan.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova e pohoi fuqishëm se ka vendosur ta lidhë fatin e vet me LDK-në.

Sipas saj, gjatë këtyre ditëve të fushatës është dëshmuar rilindja e frymës rugoviane, transmeton Koha.net.

“Kam takuar bujq që mezi sigurojnë kafshatën e bukës, kam parë ndërmarrës që kafshatën e mundit të tyre bëheshin gati ta ndanin me padronët e tyre në formë të përqindjes. Pesha e dhimbjes së qytetarëve duhet të kthehet në shpresë. Kjo në mua ngjallë besimin e jashtëzakonshëm se duhet të rimëkëmbemi e jo të dorëzohemi. LDK na ka mësuar se si kultivohet fryma e mobilizimit, prijësi ynë historik na ka mësuar se si duhet të jemi këmbëngulës. Projekti i LDK-së po rilind më i fortë se kurrë. Liria mbetët premisa jonë më sublime dhe ne duhet t’ia garantojmë secilit qytetarë”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se programi i tyre buron nga nxënësit që nuk marrin dije në shkollë e nga pensionistët që marrin vetëm lëmoshë nga shteti.

Ajo ka potencuar se puna e saj është t’ia kthejë shtetin qytetarëve.

“Puna ime është që miliardat e asfaltit t’ia kthejë arsimit e shëndetësisë. Puna ime është që mësuesve e shkollave t’i japim dinjitet. Kemi ndarë 300 milionë euro në fondin investiv, rininë do ta mbajmë në Kosovë si potencialin më të shenjtë. Ministrat e Qeverisë time nuk do ta kalojnë mëngjesin në gjykata e pasdite në qeveri. Ministrat e Qeverisë time do të jenë shembull i punëve me duar të pastra. Beteja jonë e sotme është mes dorëzimit përfundimtarë dhe shpëtimit, mes ikjes dhe qëndrimit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Vjosa Osmani ka përkrahjen e plotë të partisë për ta udhëhequr shtetin.

Ai ka kërkuar nga të gjithë votuesit që t’ia japin besimin LDK-së.

Mustafa ka thënë se LDK-ja nuk do ta forcojë shtetin përmes taksave e tarifave, por me hapje të bashkëpunimit me BE-në e SHBA-në.

“LDK do të luftojë për forcimin e shtetit, ne shtetin nuk do ta forcojmë as me taksa e as tarifa, por përmes hapjes tonë me Bashkimin Evropian e SHBA-në. Përmes angazhimit tonë për anëtarësimin në BE. Ne do të punojmë ta luftojmë krimin dhe korrupsionin, me njerëzit tanë, sepse ne nuk duhet t’i nënvlerësojmë njerëzit tanë. Ne nuk do ta luftojmë krimin e korrupsionit me njerëz nga jashtë të cilët ndiqen për krime e korrupsion. LDK nuk premton vendime të mëdha por vendime të ligjshme. Ne premtojmë se do ta zhvillojmë dialogun, ne nuk do të japim as tokë as territor.

Nënkryetari dhe shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK-ja është ngritur në këmbë për ta zgjedhur zonjën e shtëpisë si zonjë të shtetit.

Ai ka thënë se pa LDK-në Kosova nuk dritë e as shpresë, duke shtuar se e vërteta janë ata sepse kanë besuar në familje e dëshmorë.

“Ne besojmë në shtet sepse ligji dhe Kushtetua janë udhëheqësi ynë. Ata e kanë e humbur besimin sepse nga ky vend sollën qytetarë nga Amerika e Gjermania për t’iu mashtruar ju. Ata që sot po mundohen LDK-në ta mbajnë në zemër janë bërë bashkë për t’i dhënë vendit shpresë. LDK-ja do të jetë parti e kthesës së madhe dhe as nuk dyshojmë në fitoren tonë”, ka thënë ai.

Haziri ka thënë se nuk mund t’i ndalin me video montazhe dhe lajme të rreme.