Fushata elektorale ka tërhequr vëmendjen edhe të nëpunësve të administratës shtetërore.
Fushata elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë vëmendjen e nëpunësve të administratës shtetërore, të cilët janë të thirrur që të punojnë për llogari të shtetit. Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili bën pjesë në rrjetin “Demokracia në Veprim”, thotë për Radio Kosovën se vazhdimisht monitorojnë rrjedhën e fushatës zgjedhore. Sipas tij, të dhënat tregojnë se në çdo tubim, prania e shërbyesve civilë në aktivitetet e subjekteve politike ka shënuar rritje.
herë është e njëjta, fushatat karakterizohen pos me shërbyes civilë apo të shtetit, ato karakterizohen edhe me veturat shtetërore. Tashmë së fundi i kemi parë që në spotet politike janë përdorur asetet shtetërore për të reklamuar një subjekt politik, e që është e ndaluar me ligj”, tha Spahija.
Shqetësues mbetet fakti se nuk është duke u respektuar Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ndalon pjesëmarrjen e nëpunësve të administratës shtetërore në fushatë, thotë Florent Spahija.
“Shqetësues mbetet se nuk po respektohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, që ndalon pjesëmarrjen e personave që punojnë në administratë shtetërore, ndërmarrje publike apo ndërmarrje ku me një fjalë pronar është shteti. Atyre u ndalohet pjesëmarrja në fushatë, por kjo tregon më së miri sesa subjektet politike janë të interesuara ta respektojnë ligjin në tërësi”, shtoi Spahija.
Instituti Demokratik i Kosovës, që bën pjesë në rrjetin “Demokracia në Veprim”, për çdo ditë ka të angazhuar mbi 70 vëzhgues të cilët përcjellin nga afër tubimet elektorale.
Në Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë thuhet se “subjektet politike nuk mund të shfrytëzojnë nëpunësit civilë që përdorin pozitën, burimet, ose personelin për fushatë gjatë zgjedhjeve”. Aty, po ashtu, theksohet se “përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal, me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje, është rreptësisht i ndaluar”.