Zgjedhjet 2019

VV-ja nga Kamenica premton largimin e territ dhe kthimin e dritës

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin e radhës në komunën e Kamenicës.

Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti, tha se “erdhi dita që ta largojmë terrin e ta sjellim dritën në Dardanë (Kamenicë), erdhi dita e një shteti të së drejtës që e lufton krimin dhe krimin e organizuar, ku pushtetarët e qytetari janë njësoj përfundi ligjit e para tij”.

I pari i VV-së tha po ashtu se “me oligarkë e mujsharë nuk ka as drejtësi, as barazi e as zhvillim” dhe shtoi se “me qeverinë e Vetëvendosjes e kthejmë prodhimin në ekonomi dhe e kthejmë ekonominë në politikë e nuk e lëmë të përjashtuar në tregun ku dominojnë mujsharët e oligarkët”.

Kandidati për deputet, Bajram Mavriqi, bëri thirrje për ta bërë ndryshimin e madh “për ta kapërcyer errësirën në të cilën e kanë futur Kosovën dhe akoma më shumë Dardanën”.

“Na e shuajtën shpresën, vodhën punën, na morën subvencionet e tani duan të na mbyllin edhe shkollën. Ata duan që ne ta braktisim Kosovën e Dardanën, mirëpo ne u përgjigjemi atyre: shpirti nuk shitet dhe atdheu nuk braktiset”, tha Kryetari i Qendrës së VV-së në këtë Komunë, Bajram Mavriqi.

Ndërsa kandidatja tjetër nga kjo komunë, Arta Barajlia, foli për të drejtat e grave. “Asnjë shoqëri në botë nuk është zhvilluar pa angazhimin e gruas në politikë dhe kjo është e vetmja rrugë për barazi”, tha ajo.

“Shteti zhvillimor i qëndrueshëm sjell edhe barazi më të madhe”, tha me bindje Barajlia, e cila shtoi ndër të tjera se “pas 6 tetorit nuk do të ketë punë pa dinjitet, pa pagesë të orëve shtesë, pa kontrata për punëtorët, pa siguri në të dhe pa pushime lehonie”.

“Rritja e punësimit dhe mbrojtja e punëtorit është edhe mbrojtje e avancim i pozitës së grave, të cilat e vuajnë më së shumti shfrytëzimin e papunësisë dhe të punës”, përfundoi Bajralia.

Në fjalën e radhës kandidati për deputet, Ilir Kërçeli, kujtoi se Kamenica është lënë pas dore për 20 vite “pa ujë të pijshëm e me rininë që po e braktis vendlindjen, por prej 6 tetorit situata ndërron Kamenicës do i kthehet uji dhe rinia e saj”.