Zgjedhjet 2019

Veseli: Qytetarët duhet të bëhen bashkë për një Kosovë ku sundon ligji dhe luftohet korrupsioni

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli tha se më 6 tetor, qytetarët do të vendosin nëse janë për një koalicion me ta, apo për atë të konfrontimit. E që sipas tij ky koalicion do të jetë Kurti-Mustafa.

Ai para përkrahësve të tij në Komunën e Istogut tha se për dy vjet qeverisje do të legalizohen pronat, në të cilat jetojnë qytetarët e vendit,që ende nuk kanë. Ai në këtë tubim elektoral, premtoi përkrahje për qytetarët e Istogut në sektorin e bujqësisë dhe atë të blegtorisë.

"6 tetori është para nesh, e cila do të jetë vendimtare për të ardhmen tonë, është një ditë referendumi, ku do të vendos Istogu dhe Kosova jonë. Më 6 tetor do të përcaktohet saktësisht, do të jemi një qeverisje, e cila do të jetë në koalicion me SHBA-në dhe qytetarët e vendit, për një ekonomi prodhuese, për një zhvillim të fuqishëm, i cili u krijon shpresë dhe besim njerëzve tonë, apo do të kemi një koalicion i cili na konfronton mes nesh, i vili krijon një jo-shpresë, e ky koalicion është Kurti-Mustafa", tha Veseli.

Veseli tha se Kosova dhe qytetarët e saj duhet të bëhen bashkë, për një Kosovë ku sundon ligji dhe luftohet korrupsioni.

"Do të fuqizojmë të rinjtë dhe të rejat, merruni me sektorin e informacionit, fuqizon vetën dhe ne do të jemi krahë jush. Mësoni gjuhët e huaja, e ardhmja është teknologjia e inovacionit dhe teknologjia e informacionit. Do të përkrahim ndërmarrësin, asnjë tatim të ri nuk do të ketë, përkundrazi do të ulim të gjitha tatimet. Do të përkrahë zërat që kanë për qëllim legalizimin e pronave të Kosovës. Janë 350 mijë prona pa leje, janë me mija e mijëra shtëpi që ne jetojmë bashkërisht me dhjetëra vite, dhe nuk kanë tapi për tokë. Për dy vite maksimum do të legalizohen të tëra pronat në Republikën e Kosovës", ka shtuar Veseli.

Veseli mes tjerash ka premtuar edhe përkrahje ndaj familjarëve të dëshmorëve të kombit. Nga Istogu ka premtuar edhe rritjen e pensioneve.

Shoshi, kryetar i degës në Istog tha se duhet të jetë pikësynim bujqësia në Istog.

"Prezenca juaj këtu tregon që Partia Demokratike e Kosovës po rritet shumë në Istog. Kryeministër po ju premtoj që tubimet tjera do i organizojmë jashtë se nuk ka sallë që na zë. Kanë mbetur edhe pesë ditë deri në fund, ju ftoj që të jepni maksimumin që më 6 tetor që të mos lëmë votë pa votuar për Partinë Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Kandidatët për deputetë nga Istogu janë Kaltrina Arifaj dhe Lulzim Shoshi.