Zgjedhjet 2019

Haradinaj: S’i them vetës ky që jam pa e kthyer gurin në qafë të Çakorrit e Zhlebit

I nominuari për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, është takuar sot në Rugovë të Pejës, me banorët e kësaj ane, me të cilët ka biseduar për demarkacionin me Malin e Zi, që prek territorialisht këtë zonë. Ai ka thënë se çështja e Çakorrit do të zgjidhet në marrëveshje me Malin e Zi.

Sipas Haradinaj, Mali i Zi është treguar korrekt me Kosovës për disa vite, duke nisur nga lufta me Serbinë.

“Mali i Zi e ka ndërruar drejtimin qe një kohë. Në luftën e fundit është ruajt me ne, një pjesë e jona gjetën strehë te ta. Tani na e njohu pavarësinë”, ka thënë ai.

Haradinaj foli edhe për demarkimin në versionin Meha, të cilin e ka quajtur gabim, teksa ka shtuar se me liderët e Malit të Zi ka diskutuar lidhur me këtë çështje dhe beson që në bashkëpunim me ta do të gjendet marrëveshja për korrigjimin e gabimeve.

“Tani na ndodhi kjo me kufirin, si papritur. E dimë që historia dhe e kaluara ka qenë e vështirë, duam t’i vendosim gjërat në rend. Është bërë një gabim me Çakorrin. Ata e kanë kuptuar që është gabim. Dy liderët e tyre nuk janë kundër që të rregullohet kjo punë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se nuk do t’i thotë vetës ky që është pa u kthyer guri në qafë të Çakorrit e qafë të Zhlebit.

Haradinaj ka thënë se është vonuar për ta rregulluar këtë çështje, pasi gjatë qeverisjes së tij doli një problem më i madh. Iu referua përpjekjeve për shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

“Më kanë pyetur nganjëherë pse po vonohesh, se na doli një telash tjetërkah. Edhe atë e rregulluam me shumë mund”, ka thënë ai.

Haradinaj, para banorëve rugovas, ka premtuar investime infrastrukturore në këtë anë për të përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve si dhe për të ndihmuar në zhvillimin e turizmit.