Zgjedhjet 2019

Limaj në Gjilan: Kauza e koalicionit tonë do e çojë vendin përpara

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj gjatë pasdites së sotme ka takuar strukturat e partisë se tij në qytetin e Gjilanit, prej ku premtoi se kauza e këtij koalicioni do ta çojë Kosovën përpara

Limaj duke iu referuar sloganit "Bashkë për shtetin", tha se nuk shkohet përpara si shtet pa u bashkuar e duke ofruar paketa mashtruese për qytetarët e Kosovës.

Pretendenti për kryeministër të Kosovës, Fatmir Limaj, tha se do punojnë gjithmonë për të gjitha kategoritë e shoqërisë për të forcuar Kosovën. Sipas tij 6 tetori është mundësi e veçantë dhe vendimtare për vendin.

"Shumë është e mundur që ky parlament që ka me u zgjedh më 6 tetor do të ngritë dorën për marrëveshjen me Serbinë dhe ne të gjithë duhet të mendojmë se kujt duhet me ia dhënë besimin, si me e bë marrëveshjen me Serbinë. Kush duhet të ulet në tavolinë e të negociojë marrëveshjen më ta. Ju nëna, e ju prindër, keni kujdes se jeni duke vendosur edhe për të ardhmen e fëmijës të fëmijës tuaj", tha ai.

Teksa ka premtuar përkrahje për punëtorët, rininë e gruan, Limaj ka kritikuar qeveritë e deritanishme në Gjilan, se nuk kanë siguruar ujë të pijes dhe stadium për gjilanasit.

"Dy gjëra që janë më të rëndësishme që si kanë bërë, krejt i kisha lënë punët e dy gjëra s’e kisha lënë pa ua dhënë, ujin e pijes dhe stadiumin. Me i pas dy ekipe që krenohet jo vetëm Kosova, por Shqiptaria, e mos me pas një stadium modern, bash marre", tha ai.

Kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate, Sevdail Robelli tha se deri më 6 tetor do kërkojnë votën e gjilanasve, për t’u bashkuar rreth programit, i cili sipas tij ia kthen nderin qytetarit të Gjilanit dhe këtë qytet e kthen në zonë regjionale.

Ai u shpreh se me ardhjen në qeveri të Nismës Socialdemokrate do zgjidhet problemi i ujit të pijshëm për qytetarët e Gjilanit.