Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur tubimin e radhës në Besianë.
Kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Albin Kurti, duke kritikuar qeveritë e kaluara ka thënë se ata që e kanë trurin asfalt do të sjellin asfalt pa tru.
Ai tutje u zotua se asnjë familje nuk do të mbetet pa kulm mbi kokë dhe asnjë shtëpi pa të punësuar.
“Sot kemi për rivalë kundërshtarë të frikësuar e të tjerë që frikësojnë, dhe kur frikësohesh përfundon tek ata që ua ke frikën. Ata që e kanë trurin asfalt natyrisht që mund të na sjellin asfalt, por pa tru. Asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë shtëpi pa dikë të punësuar”, ka thënë ai.
Kandidati i kësaj partie për deputet, Ajet Potera, u bëri thirrje të pranishmëve që të mos e humbin shansin e artë e historik të 6 tetorit që ta ndalin qeverisjen e mbrapshtë e ta kthejnë qytetarin në qeverisje.
“Asnjë integrim nuk është i mundur në një shtet të kapur. Mirëpo, erdhi dita që Kosova të jetë shtet i integruar në vete më së pari, pra si shtet me integritet”, ka thënë Potera para të pranishmëve.
Ndërkaq sipas Sabri Kiçmarit kandidat për deputetë nga radhët e VV-së, Lëvizja është e njëjta përpjekje si përpjekjet e tij me shokë në vitin ’89 për Kosovën Republikë, për liri, barazi, demokraci e Vetëvendosje.
“Jemi mbledhur për të dhënë një fjalë e për të vendosur një besë, se do të votojmë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin si Kryeministër, sepse në këtë mënyrë do të ndërtojmë të kaluarën dhe do të ndërtojmë të ardhmen”, ka thënë ai.
Kandidatja Saranda Bogujevci rreshtoi masat e Lëvizjes për të mbështetur investimet e komunave në ujë të pijshëm, arsim, mjedis, kulturë e infrastrukturë.
Sipas saj, përmes grantit të katërt për komuna, Lëvizja do të shpërndajë 600 milionë euro për 4 vite, ku komunat do të vendosin për shpenzimet sipas nevojave, duke shtuar se komunat e Kosovës do të sigurojnë çdo shërbim të nevojshëm për qytetarët.
Ndërsa për kandidatin tjetër, profesorin universitar, Shpejtim Bulliqin, Kosova me qeverisjen Kurti do të jetë një shtet i kompletuar, dinjitoz dhe i cili do të angazhojë të gjitha zanatet, profesionet e talentet e qytetarëve tanë.