Zgjedhjet 2019

Veseli, deçanasve: Dëshironi qeveri të konfrontimit apo me orientim euro-atlantik

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se qytetarët duhet të vendosin nëse duan një qeveri me orientim euro-atlantik dhe që merret me sfidat e Kosovës apo duan një koalicion të konfrontimit në mes nesh dhe konfrontimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sjellë pasiguri e izolim.

Veseli në takimin me qytetarët e Deçanit, ka thënë se 6 tetori do të jetë shumë shpejt por është ditë e vendimmarrjes për Kosovën tonë se cilin drejtim do ta ketë, një vendimmarrje që do të drejtojë të ardhmen e qytetarëve dhe shtetit tonë.

“Se a do të jetë një drejtim, një qeverisje e cila do të jetë shumë afër, e fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, a do të jetë një qeverisje që do të merret me sfidat që ka Kosova, me punësimin, krijimin e perspektives për të rinjtë e të rejat tona përmes një ekonomie të dijës, ndërmarrësisë, prodhimit, a do të jetë një qeveri e cila do ta luftojë korrupsionin dhe nepotizmin apo do të jetë një koalicion i cili është i koalicion i konfrontimit në mes nesh dhe i konfrontimit me miqtë tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të thotë izolim, pasiguri, apo një koalicion i korrupsionit, e ky koalicion është Mustafa-Kurti. Ju të gjithë, ne të gjithë bashkërisht, qytetarët e këtij vendi duhet të bëhen bashkë, mos të lejojnë që për asnjë milimetër Kosova të ecë mbrapa“, ka thënë Veseli, raporton Ksp.

Veseli tha se ditëve të fundit po dëgjon që ka vet kënaqësi duke thënë se PDK do t’i fitojë zgjedhjet por të angazhohen që pas 6 tetorit të ketë një qeveri që krijon perspektivë të rinjve, që ndihmon prodhuesit, mjekët, dhe gjithë ata që duan ta qojnë përpara këtë vend dhe jo që ndan qytetarë.

“Më shumë se asnjëherë më parë Kosova ka nevojë me qenë vetëm orientim euroatlantik, Kosova ka nevojë me qenë vetëm drejtim i cili është nga puna nga nderi, një qeverisje ku përkrahet rinia, ku përkrahen ndërmarrësit, ku përkrahen fermerët, kështu që më 6 tetor bëhuni bashkë, mos u ndani këtu në Deçan e gjithë Republikën e Kosovës. Ka entuziazëm por vet kënaqësi nuk duhet ketë“, ka thënë Veseli.

Kryetari i degës së PDK-së në Deçan, Bujar Kukleci tha se edhe tetë ditë na ndajnë nga fitorja e madhe e PDK-së

“Frontet e luftës së PDK-së kundër korrupsionit dhe nepotizmit do të jenë në çdo vend, në çdo kohë dhe çdo grup. Lufta kundër këtyre fenomeneve negative do të jenë mjete për realizimin final të PDK-së, zhvillimin e ekonomisë, shanse të barabartë dhe këtë do ta bëjë vetëm kryeministri i ardhshëm Kadri Veseli“, tha ai.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës ka rritur buxhetin nga 700 milionë euro sa ishte në vitin 2008, në 4 miliardë sa është tani.