Zgjedhjet 2019

Shllaku: Fushata po sjell në front liderët e partive dhe jo çështjet me të cilat preokupohet shoqëria

Drejtori i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, Luan Shllaku, e ka kritikuar fushatën e partive politike në vend.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kjo fushatë po sjell në front të çdo debati liderin e partisë por jo edhe çështjet e nxehta të shoqërisë në vend.

Sipas tij, çështjet, apo temat janë aty vetëm për të qenë ornament i kultit të liderit i cili është gjithmonë në qendër.

“Ajo që më vret posaçërisht është fakti që Kosova akoma nuk ka arritur të ndërtojë një kapacitet politik rreth çështjeve të mjedisit. Atë administrativ e kemi, por duke mos pas mbështetje të liderët politik me vizion të qartë të avancimit të cilësisë së mjedisit, administrata bëhet shumë lehtë e manipulueshme. Shiheni vendimin e fundit të Ministrit të Ministrisë së Mjedisit lidhur me hidrocentralet e vogla, të marr në ‘aksham Pazar’, kur çmimi i vendimeve të marra është i ulët, bëhet në terr, por sjell përfitime”, ka shkruar ai.

Shllaku thotë se Kosova nuk ka nevojë që patjetër ta ketë një parti të gjelbër të fortë, por sipas tij, ka shumë nevojë që të gjitha partitë e mëdha të kanë programe të forta mjedisore.

Sipas tij, kjo fushatë i fut në sprovë partitë politike, derisa kërkon nga to të deklarohen nëse janë për Maxi termocentrale dhe Mini hidrocentrale.

Ai thotë se mos deklarimi i qartë i partive, i bënë ato bashkëpunëtore të forcave që vazhdimisht abuzojnë me mirëqenien e qytetarit.

“Më thoni se cila parti politike ka program mjedisor të dalluar? Të majtit do të duheshin me i pas në teh të programeve të tyre – por s’i kanë! Të djathtit sigurisht ju kanë lënë të majtëve! Nuk e ndjeva asnjë prononcim nga liderët apo ekspertët e partive për termocentralin Kosova e re. Than diçka, por askush si mban në mend se ishin prononcime të zbehta dhe dy kuptimshme. E ne e presim së shpejti ratifikimin e kontratës për ndërtimin e këtij TEC-i që është shumë e dëmshme”, ka shkruar tutje ai.