Zgjedhjet 2019

Osmani në Rahovec: Më 6 tetor merr fund logjika e tregtarëve të territorit

Gjatë një tubimi me qytetarët e Rahovecit, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se më 6 tetor, me përkrahjen qytetare dhe fitoren e LDK-së, do të marrë fund logjika e tregtarëve të territorit.

“Më 6 tetor, me votën e lirë të qytetarëve, Rahoveci dhe e gjithë Kosova do të çlirohet nga logjika e tregtarëve të territorit. Me të tillët nuk kam bashkëpunuar dhe nuk bashkëpunoj kurrë. Me të korruptuarit nuk kam bashkëpunuar dhe nuk bashkëpunoj. Ju jeni dëshmitarë që unë nuk e keqpërdori votën dhe besimin tuaj”, tha Osmani.

Sipas saj, për ta mbrojtur Republikën, iu duhet mobilizim sikur në vitet e 90-ta për ta votuar ndryshimin e madh, i cili vjen me LDK-në dhe numrin 134.

Në fjalimin e saj Osmani tha se janë të vendosur më shumë se kurrë që ta mbrojnë votën, nga ata të cilët po synojnë ta blejnë besimin e qytetarëve.

Osmani ka thënë se me fitoren e LDK-së, Rahoveci nuk do të njihet në gjithë botën vetëm për verën e mirë, por do të njihet edhe për njerëzit e ndershëm e punëtorë, të cilëve do t’ju krijohen mundësi të mëdha për ta zhvilluar vendin e tyre dhe për të krijuar perspektivë për gjeneratat e reja.

Ndërkaq kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec dhe anëtari i kryesisë qendrore të kësaj partie, Avdullah Hoti, ka thënë se banorët e kësaj komune janë të vendosur për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë duke e mbështetur fuqishëm LDK-në dhe kryeministren Vjosa Osmani.

“Rahoveci i njerëzve punëtorë e atdhetarë, njerëz të sakrificës për liri e pavarësi ka vendosur ta mbështesë LDK-në dhe Vjosa Osmanin, për ta kthyer Kosovën kah rruga e zhvillimit dhe integrimit”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se dega e LDK-së është angazhuar dhe po ua shpalos programin qeverisës të LDK të gjithë banorëve të komunës së Rahovecit, shtëpi për shtëpi.

“Ne do t’i dalim Zot këtij vendi që tjerët deshën ta ndajnë, do t’i dalim Zot këtij vendi që e zhvatën”, ka thënë Hoti.

Hoti ka theksuar se vetëm LDK mund ta zhvilloj Kosovën dhe Rahovecin. “Rahoveci e ka vënë Kosovën në hartën e botës me verën e saj cilësore e të shijshme”, ka thënë Hoti, sipas të cilit, programi qeverisës i LDK-së dhe Vjosa Osmani si kryeministre e re e Kosovës do t’i kryej të gjitha projektet që i premton për Rahovecin dhe fshatrat e saj.