Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të premten në një takim me rininë e Gjilanit, se edhe 16 ditë kanë mbetur nga dita e zgjedhjeve.
Sipas njoftimit të LDK-së, ajo ka thënë se me fitoren e kësaj partie “do të përfundojë mentaliteti plaçkitës në Kosovë”.
“Kanë mbetur edhe 16 ditë deri në momentin e fitores sonë. Vetëm edhe 16 ditë durim nga njerëzit që kanë vendosur në Kosovë një mentalitet plaçkitës. Ata vendosën në Kosovë kleptokracinë, vendosën në Kosovë mentalitet të të paditurve dhe të rrezikshmëve. Edhe 16 ditë atyre ju vjen fundi. Edhe 16 ditë fitorja e LDK-së do të jetë fitorja e qytetarëve të Kosovës, do të jetë në veçanti moment historik për rininë e Kosovës”, ka thënë Osmani, përcjell kumtesa e LDK-së.
Ajo pohoi se me votën e lirë të qytetarëve, më 6 tetor do t'i dërgojmë në opozitë njerëzit që vetëm krimin dhe korrupsionin e kanë ekspertizë.
“Ata do të shkojnë në opozitë, jo vetëm për katër vite por në minimum 12 vjet”, ka shtuar Osmani.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kandidatja e kësaj partie për kryeministre Vjosa Osmani do të shënojë fitore historike në zgjedhjet e 6 tetorit, për tu bërë zonja e shtetit të Kosovës që qeveriset me ligj e kushtetutë, e jo me klane.
“LDK kësaj radhe ka vendosur me unanimitet të madh me i dhanë mbështetjen e plotë Vjosës për kryeministre, sepse kjo mbështetje ka me e bë kryeministre dhe kundërshtarët kanë me na pa ëndërr. Mbajeni mend ata që po mendojnë dhe ata që po donë me e nxjerr Vjosën si kryeministre që nuk është zonjë e shtëpisë unë ju them nga Gjilani se ka ardhur koha që zonja e shtëpisë të bëhet zonja e shtetit”, ka thënë Haziri, në tubimin ku e pranishme ishte edhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani.
Ai ka thënë se Osmani do të veprojë me pavarësi të plotë ndërsa ka dërguar mesazh për ata që deri tani ishin në qeveri.
“Le të bahen burrat e fortë gati me e pastru deskun e qeverisë, tavolinat e tyre dhe t'i lëshojnë zyrat se Vjosa do bëhet zonje e shtetit dhe do të vendosë me autorizime kushtetuese e ligjore, e jo me sms, telefona, me ndikime e me klane, sepse kjo nuk është kulturë e Vjosës as e LDK-së. Vjosa do të vendosë plotësisht e pavarur, sepse LDK-ja ia ka dhanë mandatin më 3 gusht e pas saj Kushtetutën dhe ligjet në dorë. Nuk i ka dhanë shkop e mjetet tjera. I ka dhanë instrumentet e shtetit me i udhëheq në mënyrë të pavarur pa ju përzier askush, askund dhe për asgjë”, ka thënë Haziri.
-
20 shtator 2019 20:50
-
Shpërndaje në: