Zgjedhjet 2019

GERMIN kërkon që të zgjatet afati për votim për diasporën

GERMIN kërkon që vota e diasporës të trajtohet me kujdes të shtuar dhe seriozitet maksimal. Njëkohësisht shpreh shqetësimet rreth ecurisë së procesit të votimit nga jashtë për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2019, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Me kënaqësi ne morëm lajmin për numrin final të aplikuesve të cilët kanë bërë kërkesën për të votuar nga jashtë. Numri prej 42.300 personave nga diaspora të interesuar për të votuar në Kosovë është padyshim zhvillim pozitiv, duke pasur parasysh që në zgjedhjet e fundit kemi pasur numër dyfish më të vogël, prej 20.345 aplikimesh nga jashtë. Gjithsesi, numri i aplikimeve do të mund të ishte edhe më i madh, sepse siç e kemi cekur edhe më herët, afati kohor i aplikimit ishte i shkurtër, duke marrë parasysh mungesën e informacionit paraprak dhe kampanjave informuese për të gjitha detajet dhe procesin e aplikimit për votim nga jashtë prej anës institucionale”, thuhet në komunikatë.

Prandaj, GERMIN shton se pavarësisht numrit të rritur të aplikimeve, shpreh shqetësimin lidhur me ecurinë e mëtutjeshme të votimit nga diaspora.

Arsyet për këtë janë:

Sot (18 shtator 2019) është dashur të fillojë procesi i votimit jashtë vendit, mirëpo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk e ka publikuar një listë finale të certifikuar për votuesit jashtë vendit, dhe në faqen zyrtare të KQZ-së mungon fletëvotimi i ngarkuar;

Përveç numrit prej 42.300 aplikimeve për votim nga diaspora, ne akoma nuk kemi një njoftim zyrtar nga KQZ lidhur me numrin përfundimtarë të aplikimeve të aprovuara dhe atyre të refuzuara nga jashtë;

KQZ gjithashtu nuk ka publikuar numrin e aplikimeve për votim nga Serbia, për të cilat jo-zyrtarisht na është thënë se nuk përfshihen në totalin e 42.300 aplikimeve;

“Duke u bazuar në faktin që ne po shohim vonesa në proces deri më tani, kërkojmë nga KQZ-ja që sa më parë të publikojë listën finale të aplikimeve të aprovuara për votim jashtë vendit, dhe t’u ofrojë informacionet e detajuara dhe afat të mjaftueshëm kohor bashkëatdhetarëve të cilëve iu është refuzuar aplikimi për të bërë ankesat e tyre”, thuhet në komunikatë.

Nëse KQZ-ja vonohet në realizimin e pikave të mësipërme në bazë të planit operacional, GERMIN kërkon që të zgjatet afati për pranimin e fletëvotimeve me zarf, më saktësisht deri më 8 tetor, 2019, me kusht që dërgesat e fletëvotimeve me zarf janë bërë para datës 6 tetor (kjo mund të verifikohet lehtë përmes vulës postare).

“Posaçërisht për faktin që ende nuk kemi një listë të publikuar të votuesve nga jashtë, ndërsa sot do të duhej të ishte dita e parë e votimit nga jashtë.

Konsiderojmë që është shumë e rëndësishme që rritja e interesimit të bashkëatdhetarëve tanë jashtë vendit për të marrë pjesë në zgjedhje, duhet të trajtohet me kujdes maksimal të merituar dhe t’i ofrohet informacioni adekuat secilit person që ka aplikuar në mënyrë që të ketë sa më shumë vota të vlefshme”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë, thotë tutje GERMIN, që e drejta e votës garantohet me Kushtetutë, dhe qytetarët tanë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të barabarta votimi, sikurse të tjerët që jetojnë në Kosovë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që kjo votë të trajohet në mënyrë adekuate në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të inkurajojmë edhe më shumë pjesëtarë të diasporës të votojnë në Kosovë. Legjitimiteti i të zgjedhurve tanë është më i madh kur sa më shumë qytetarë votojnë, prandaj vota e diasporës është një vlerë e shtuar në këtë drejtim dhe një kontribut shtesë në ndryshimet pozitive që mund të arrihen përmes pjesëmarrjes së tyre në vendim-marrje/zgjedhje.