Zgjedhjet 2019

​Koalicioni Nisma-AKR-PD nominon Limajn për kryeministër

Descriptive Text

Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë kanë mbajtur sot konventën, ku Fatmir Limaj është nominuar për kryeministër të Kosovës.

Para të pranishmëve Limaj tha se koalicioni i tyre është bashkuar për shtetin dhe u shpreh i gatshëm për të qeverisur me Kosovën, duke pohuar se ai i posedon të gjitha atributet për të qenë kryeministër dhe se ai është një burrështetas i Kosovës dhe jo një lider politik.

“Ju siguroj që mbështetja juaj, besimi i juaj që me keni dhënë, po iu garantoj që asnjëherë nuk do të zhgënjeheni nga votat e juaja. Unë i takoj atyre njerëzve që marrin përgjegjësi dhe janë të gatshëm me i shty proceset me çfarëdo çmim. Ne u bashkuam bashkë për shtet. Koalicioni ynë ka kuptim atëherë kur fiton Kosova, me fitoren e këtij koalicioni fiton Kosova”, tha ai.

Limaj foli edhe për dialogun me Serbinë, teksa tha se me të në krye të qeverisjes kjo çështje një herë e mirë do të përfundojë.

“Me mua do t’i kthehemi dialogut, me mua në qeveri kjo çështje do të përmbyllet një herë e mirë. E vetmja temë që ka mbet me Serbinë, është ndërtimi i fqinjësisë së mirë. Kjo bëhet me mençuri me partneritet me miqtë tanë. Kosova humbë nëse e kthen shpinën në tavolinën e bisedimeve. Ne nuk i ikim përgjegjësisë”, tha ai.

Ndërkaq, partneri i koalicionit, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli kërkoi mbështetjen e qytetarëve për t’i dhënë Kosovës, siç tha zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit.

Pacolli doke folur për koalicionin NISMA-AKR-PD, tha se ata janë boshti për formimin e qeverisjes së ardhshme, teksa bëri thirrje që qeveria e ardhshme të përmbyllë dialogun me Serbinë me kufijtë aktual të shtetit.

“Ne vendosim për qeverisjen e ardhshme që do të sjellë në Kosovë zhvillim ekonomik për të rinjtë tanë, ata që kanë më së tepërmi nevojë. Ne jemi ata që sot të kursejmë kohë për Kosovën, ne jemi ai boshti që do të mundësojë krijimin e qeverisë. Shpresoj që këto zgjedhje do të mundësojnë krijimin e kushteve për dialogun me Serbinë. Dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet”, tha Pacolli./Ksp/